Sport

Vinicius i ri? Real Madrid hap bisedimet me fantazistin brazilian


Real Madrid-i ka filluar bisedimet me talentin brazilian të Palmeiras, Endrick.

Klubi madrilen tash e disa vite e ka filluar një sistem transferimesh që mundohet të sjellë në kryeqytetin spanjoll talentët më të mëdhenjë nga Brazili.

Vinicius Jr., Rodrygo Goes, Reinier Jesus, janë disa nga emrat që madrilenët kanë sjellur në grup viteve të fundit.

Të tre janë të rinjë, me Vinicius-in që është më i madhi, 21 vjeç.

Duke e parë suksesin që dy të parët kanë pasur me klubin madrilen, presidenti Perez kërkon që të gjejnë “Vinicius-in e ri”.

Dhe tani, emri është në zyrat e madrilenëve, dhe ai është 15-vjeçari Endrick i Palmeiras.

Endrick i ka mahnitur të gjithë me performancat e tij në nivelin më të lartë të futbollit brazilian, dhe kërkesat për të kanë arritur majën menjëherë.

Mirëpo, interesin më konkret për këtë futbollist, e ka shfaqur pikërisht Real Madrid-i.

Sipas gazetarit italian, Fabrizio Romano, Real Madrid-i tashmë ka filluar bisedimet për të siguruar shërbimet e Endrick, dhe këto bisedime nuk priten të jenë fare të vështira.

Në muajin korrik, Endrick do të jetë i lirë të nënshkruajë kontratë legale me madrilenët.

Sipas rregullave të vendosura nga FIFA, një futbollist nuk mund të shkojë në Evropë nga Amerika Latine deri sa t’i mbush 18 vjet, por Real Madrid shpreson që kjo të ndryshojë.

Mbretërorët besojnë se te akademia e klubit, Endrick do të rritej më shumë dhe do të zhvillohej në nivelin që ata duan.

Mbetet të shihet nëse FIFA do të ndryshojë këto rregulla, por të paktën momentalisht ato mbesin në fuqi.

Në këtë mënyrë, Endrick do të mund të bashkohet me Real Madrid-in si futbollist vetëm në muajin korrik të vitit 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore