Kosova

Veteranët, Osmanit: Mos e dekreto Ligjin për pagën minimale, ia vendos vetes një njollë të keqe


Ilustrim

Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përsëritur qëndrimin e tyre se do t’i bllokojnë deputetët që të mos hyjnë në Kuvend po që se dekretohet Ligji për pagën minimale, që nuk garanton rritjen e pensionit të veteranit në lartësinë e pagës minimale.

Prandaj Xhavit Jashari, përfaqësues i familjeve të dëshmorëve pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kanë kërkuar nga kjo e fundit që mos ta dekretojë Ligjin për pagën minimale.

“Qëndrimi i përbashkët i joni është që të mbajmë protestë dhe të bllokojmë tutje punën e parlamentit. Presidentes i bëmë kërkesë që mos ta dekretojë Ligjin që diskriminon kategorinë që ka dhënë shumë në lutën e fundit në Kosovë”, tha ai para gazetarëve.

“Ne do t’i shfrytëzojmë gjitha rrugët ligjore, por do ta kundërshtojmë edhe me protestë, do i pengojmë deputetët të futen në Kuvend”.

Sipas Jasharit, kjo qeveri ka biseduar me kriminelët që t’i largojë veteranët nga benificionet.

“Nëse e nënshkruan këtë Ligj, Osmani ia vënë vetës një njollë të keqe”.

Në anën tjetër kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka bërë të ditur se në takim me Osmanin i kanë paraqitur shqetësimet e tyre përkitazi me shkeljet e ndryshme që vazhdimisht po bënë Qeveria e Kosovës.

Klinaku theksoi se me kryeministrin, Albin Kurti, nuk kanë zhvilluar takime tash e një vit.

“Kjo Qeveri asnjëherë s’ka pasur kontakte me neve sepse ne si organizata të dala nga lufta, kemi bërë shkresa dhe s’janë përgjigjur. Presidentja na u përgjigj, ne i paraqitëm shqetësimet tona që kjo qeveri as protezat s’ua rregullon. Presidentes ia paraqitëm disa gjëra edhe disa ligje që i ka shkelur e i shkel kjo Qeveri”, tha ai.

Ai pas takimit me Osmanin, duke iu referuar një deklarate të Kurtit se është trefishuar numri i veteranëve, pohoi se nuk i takon atij që të merret me këtë çështje kur verifikimi është bërë nga komandantët dhe se dosja për këtë çështje është në Prokurori.

Klinaku ndër të tjera ka bërë të ditur se presidentja duhet ta luaj edhe rolin e unitetit.

Ndryshe me 60 vota për e një abstenim, të enjten Kuvendi i Kosovës miratoi Ligji për pagën minimale.

Ky ligj parasheh që paga minimale të bëhet 264 euro, megjithatë nga ky ligj nuk do të mund të përfitojnë veteranët e UÇK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore