Kosova

Vela: Vuçiç thotë është ‘duke luftuar për paqe’, e ushtria serbe rrit aktivitetet në afërsi me Kosovën


Shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela dhe presidentja Vjosa Osmani.

Shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Blerim Vela konsideron se deklarimet e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç se është duke luftuar për paqe janë vetëm fjalë të kota.

Kështu është shprehur ai përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’.

“Derisa Vuçiqi thotë se është ‘duke luftuar për paqe’, Serbia ka rritur aktivitetet në kufi me Kosovën. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka njoftuar për 4 vizita që nga 1 gushti te infrastruktura ushtarake në afërsi të Kosovës për ta shikuar ‘nivelin e gatishmërisë’, ka shkruar Vela në Twitter.

Madje sipas tij, “veprime të tilla armiqësore janë në linjë me synimet ruse për destabilizim”.

Trupat amerikane në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë dislokuar përgjatë rrugëve kryesore në Veri të Kosovës, pasi takimi i tretë i nivelit të lartë në kuadër të dialogut nuk prodhoi asnjë rezultat konkret në Bruksel.

Kështu të paktën ka raportuar agjencia prestigjioze e lajmeve, Associated Press.

Se KFOR-i, ka rritur prezencën e trupave të tij në dy pikë kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak si dhe ka shtuar patrullimin në këtë pjesë të vendit, ishte bërë i ditur edhe nga Zyra për Media të KFORI-t në një përgjigje me shkrim, për mediumin serb me seli në Kosovë “Kosovo-Online”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore