Vangjel Tavo betohet si kryebashkiak i Himarës

Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në këtë bashki më 4 gusht dhe do të gëzojë një mandat të shkurtuar prej dy vitesh e gjysmë, deri në zgjedhjet e ardhshme
SHFLETO
Vitjon Nina
23.09.2024 11:56
Loading Icons...

Vangjel Tavo është tashmë edhe zyrtarisht kryebashkiak i Himarës, pasi është betuar për të marrë pozitën e re në drejtim të bashkisë jugore bregdetare.

Tavo fitoi zgjedhjet e pjesshme në këtë bashki më 4 gusht dhe do të gëzojë një mandat të shkurtuar prej dy vitesh e gjysmë, deri në zgjedhjet e ardhshme.

Gjykata e Vlorës ishte hallka e fundit, e cila i ka dhënë mandatin kryetarit të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavos, më 19 shtator.

Pasi është njohur me dokumentacionin përkatës, Gjykata e Vlorës e ka vlerësuar të ligjshëm dhe më pas i ka dhënë mandatin për drejtimin e bashkisë së Himarës.

Kjo pas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Vendimi i hap rrugën betimit të kandidatit fitues të zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës, Vangjel Tavo, i cili kandidoi me logon e Partisë Socialiste në këto zgjedhje të pjesshme, përballë kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Petraq Gjikuria.

Tavo u shpall fituesi i zgjedhjeve në Bashkinë Himarë.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të 36 kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste ka marrë 5022 vota (58.62%) kundrejt kandidatit të opozitës Petraq Gjikuria i cili ka marrë 3545 vota (41.38%).

Procesi i votimit ishte i qetë, por një nga problemet që u shfaq ishte se rreth 6 mijë zgjedhës rezultonin me karta identiteti të skaduara.

Ndryshe nga zgjedhjet e fundit – kur vlefshmëria e kartave të skaduara u shty në shkallë kombëtare – ditën e djeshme zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë.

Qytetarët kishin të drejtë të votonin në 36 qendra votimi për kandidatët e tyre, të cilët nuk kanë jetuar në Himarë.

Gjikuria është një sipërmarrës me origjinë nga Dhërmiu që migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Tavo është një politikan që ka përfaqësuar në Parlament zonë e Dropullit.