Muzikë

Unikkatil njofton shtyrjen e publikimit të këngës së re, shkak “situata e tensionuar në veriun e Kosovës”


Rep artisti shqiptar që tash e sa kohë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar shtyrjen e projektit të paralajmëruar për publikim më 20 qershor.

Arsye për këtë vendim të rep artistit Unikkatil, emri i vërtetë i të cilit është Viktor Palokaj, sipas tij, është situata e tensionuar që po mbretëron në katër komunat veriore të Kosovës, dhe jo vetëm.

“Kënga tjetër të shtunën. Arsyeja që vendosa me e shty është se ai projekt në plan nuk më është dukur adekuat për shkak të gjendjes në Mitrovicë”, ka shkruar ai në një storie të ndarë me ndjekësit e tij në Instagram.

“Edhe një raste vdekjeje. Në vend të kësaj vendosa të publikoj diçka më të thellë. Kjo nënkupton që edhe tjera pas kësaj”, ka shtuar ai.

Gjithsesi, ylli i hitit “Dostat e vërtetë” duket t’i ketë karikuar bateritë për këtë sezon veror, kjo pasi që vetëm para pak ditësh ai ka hedhur në treg këngën e re të titulluar “Ala”.

“Ala” ka arritur që për pak ditë të grumbullojë mbi 1 milion klikime në platformën YouTube, ndërkohë që ka marrë edhe kritika të shumta pozitive nga fansat e rep artistit.

Kujtojmë se Unikkatil në repertorin e tij numëron shumë hite të tilla si: “Kaj”, “Vetëbesim”, “Kanuni i Katilit”, por asnjëra nga to nuk janë të mundhsme të shihen me video klipe.

Koncerti i tij i mbajtur në vitin 2012 në stadiumin e Prishtinës, grumbulloi jo më pak se 25 mijë persona. Përveç kësaj, ai u vlerësua edhe nga shkrimtari shqiptar i njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare, si një “frymëzim për shqiptarët në mbarë botën”.

Unikkatil deri më tani ka publikuar pesë albume, ndërkaq që i fundit mbetet ai i vitit 2007, “Kanuni i Katilit”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore