Kosova

Ujësjellësi “Prishtina” paralajmëron shkyçje për bizneset që kanë mbi një faturë të papaguar


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, të martën ka paralajmëruar se nga 25 korriku do të nisë shkyçja nga sistemi i ujësjellësit i bizneseve që kanë mbi një faturë të papaguar.

“Ua kujtojmë se Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’, qëllimin kryesor e ka ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit”.

KRU “Prishtina”, ka thënë se borxhi total i bizneseve ndaj institucionit është mbi 7 milionë euro, pesë milionë i kanë borxh bizneset e vogla ndërsa mbi 2 milionë i kanë borxh bizneset e mëdha.

“Borxhi total i sektorit të bizneseve të vogla e të mëdha është mbi 7 milion euro ( mbi 5 milion euro bizneset e vogla dhe mbi 2 milion euro bizneset e mëdha)”, thuhet në njoftimi e KRU-së.

Ndërkaq, ka përcaktuar edhe afat kohor brenda periudhës që mund të kryhet pagesa e borxheve.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit në Prishtinë.

“Keni kohë 6 ditë të paguani të gjitha faturat e papaguara për shërbime të ujit dhe kanalizimit. Masa e shkyçjes dhe më vonë ri-kyçjes do të shoqërohet edhe me shpenzime shtesë të cilat rrjedhin nga tarifat e parapara nga Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit dhe Urdhëresës Tarifore të Shërbimeve ARRU/UTSH-14/04/2022”.

Sipas kompanisë, kjo është mënyra e vetme që misioni për të ofruar furnizim stabil me ujë të kryhet.

“Për të përmbushur këtë mision me sukses dhe për të ofruar furnizim stabil me ujë , sigurisht që kërkohet angazhim maksimal dhe ka kosto të lartë në trajtimin e ujit dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit, në vazhdimësi”, thuhet në komunikatën për media.

Ndër të tjera, njoftohet se pas shkyçjes, nëse do të ketë ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin e ujësjellësit, do të iniciohen kallëzime penale ndaj shkelësve potencialë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore