Sport

UEFA dhe Komisioni Evropian bëhen bashkë në luftën kundër ndryshimeve klimatike


Organi më i lartë i futbollit në Evropë, UEFA, dhe Komisioni i Bashkimit Evropian (KE) kanë ndërmarrë një fushatë të përbashkët në lidhje me ndryshimet klimatike.

Emra të mëdhenj të futbollit, si Luis Figo i Portugalisë, apo Gianluigi Buffon i Italisë janë pjesë e kësaj fushate.

“#EveryTrickCounts” quhet fushata e ndërmarrë nga UEFA dhe KE. Hashtagu do të shfaqet në ndeshjet e kësaj mesjave në Champions League, Europa League dhe Conference League.

“Kjo nuk është një çështje që ne mund ta lëmë për brezat e ardhshëm. Ne duhet të bashkohemi dhe të veprojmë tani”, tha Figo në spotin e realizuar në kuadër të bashkëpunimit UEFA-KE.

Ndërsa fjalët e Buffon-it ishin “Nëse çdo tifoz futbolli jep një kontibut të vogël në mbrojtjen e klimës, do të ketë një ndikim të madh”.

“#EveryTrickCounts” është në kuadër të programit “Respect” të krijuar nga UEFA, i cili është një zë i futbollit në lidhje me çështjet mjedisore ose të drejtat e njeriut.

Kjo fushatë përmbush një nga qëllimet kryesore të angazhimit të UEFA-s ndaj Paktit Evropian për Klimën. Pakti fton komunitetet dhe organizatat të ndihmojnë Bashkimin Evropian të arrijë Marrëveshjen e Gjelbër. Marrëveshje e cila synon që deri në 2050, në Evropë të ketë zero emetime të gazrave serë.

Si hap i parë, UEFA po zhvillon një strategji të përgjegjësisë shoqërore të futbollit të përbërë nga 11 politika me objektiva të veçantë të vitit 2030. Katër nga këto do të trajtojnë klimën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore