“U thirr në intervistim edhe një ministër, por nuk pranoi”, shkarkimi i dyshimtë i Shemsi Hazirit që po hetonte Nagip Krasniqin e Martin Berishajn

SHFLETO
Valon Rashiti
10.07.2023 7:30
Loading Icons...

Këtë të hënë do të kuptohet zyrtarisht se cila ishte arsyeja e shkarkimit të Shemsi Hazirit, shef i Njësisë së Veçantë të Hetimeve, (ish Task Forcës kundër Korrupsion) brenda policisë, por ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, nuk ka mëdyshje se shkarkimi është politik.

Albanian Post raportoi të premten ekskluzivisht për shkarkimin e çuditshëm të Hazirit, personit që udhëhiqte ekipin që po hetonte ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi.

Hazirit iu kumtua lajmi i shkarkimit të premten, por jo edhe arsyeja. “Të hënën më tregojnë”, tha Haziri në një prononcim të shkurtër ku edhe konfirmoi lajmin e AP-së.

“Një ministër nuk ka pranuar të intervistohet”, tregoi Qalaj, tani deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, duke komentuar për Albanian Post shkarkimin e Hazirit.

“Unë kam informata që janë intervistuar edhe zëvendësministra dhe i kanë dërguar ftesë për intervistë edhe një ministri, emrin e të cilit nuk mund ta them për momentin. Ministri në fjalë ka refuzuar që të shkojë dhe të intervistohet”, tha Qalaj.

Pos Hazirit, gjatë muajit prill të këtij viti, ishte shkarkuar edhe Musli Salhiu nga pozita e drejtorit të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Sipas Qalajt, edhe ky shkarkim është bërë për shkak të hetimeve që departamenti i tij ka bërë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Ish-kryepolici thotë se shkarkimet e Hazirit dhe Mulsiut janë “presion i drejtpërdrejt ndaj organeve të hetuesisë” që mos t’i hetojnë personat e profileve të larta.

“Kanë qenë duke i hetuar disa raste të personave që janë mjaft të rëndësishëm në Qeveri dhe ky është kërcënim ndaj gjithë hetueseve që guxojnë t’i hetojnë personat që janë pjesë përbërëse e ekzekutivit. Ju e dini që Task Forca është nën udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës”.

Ai mendon se momentalisht policia “po udhëhiqet nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla”.

Qalaj pretendon edhe se Sveçla ka dhomë të vetën në kampin Belvedere në Mitrovice të Jugut.

Dallaveret e Nagip Krasniqit – Si ia dha kundërligjshëm tenderin mbi 630 mijë euro kompanisë greke

Për ish-hetuesin e policisë, tash avokatin Naim Rudarin, shkarkime të tilla si ky i Hazirit, derisa i njëjti po hetonte zyrtarë shtetërorë, janë shumë problematike.

“Kjo është e rrezikshme”, thotë ai për AP. “Nëse ne vazhdojmë të përdorim mekanizma të tillë të shkarkimit dhe ndërrimit të atyre që kryejnë punën e tyre më nder dhe dinjitet, pavarësisht se kush është personi që po hetohet”.

“Më parë nuk ka pasur kaq shpesh ndërrime të pozitave, apo shkarkime të atyre që punojnë dhe avancim të atyre që nuk punojnë”.

Edhe Rudari ankohet në ministrin Sveçla, për të cilin thotë se po e përdor pozitën e tij për t’i mbikëqyrë policët.

Ndryshe të premten e 7 korrikut është shkarkuar Shemsi Haziri, derisa Albanian Post ka kuptuar se shkarkimi i tij lidhet pikërisht me hetimet e tij ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe hetimet ndaj ambasadorit Berishaj.

AP gjithashtu merr vesh se shkarkimi kishte ardhur nga niveli politik i udhëheqjes së ministrisë së Punëve të Brendshme.

Aktualisht ish-shefi i KEK-ut Krasniqi gjendet në paraburgim, derisa arrestimin e tij e pati kritikuar ashpër Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Një muaj paraburgim për Kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqin