Kosova

“U ngut BE-ja” – Reagimi i lodhur i Qeverisë për vendimin e BE-së që të njohë pasaportat ilegale të Serbisë


Foto nga Albanian Post

“U ngut Bashkimi Evropian”, është shfajësimi i Qeverisë së Kosovës në një reagim bërë pas vendimit të Bashkimit Evropian për t’i njohur pasaportat që Serbia i lëshon për qytetarët e Kosovës, përmes të cilave Kosova konsiderohet pjesë e Serbisë.

Ishte vetëm prilli i vitit të kaluar kur vetë Komisioni Evropian pati njoftuar se “liberalizimi i vizave që u miratua për Kosovën, vlen vetëm për poseduesit e pasaportës së Kosovës, por jo edhe për ata shtetas të Kosovës që kanë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe”, por tashmë gjithçka është përmbysur me vendimin e fundit të Këshillit Evropian (qeverisë së BE-së).

Vendimi i publikuar këtë të hënë në faqen zyrtare të BE-së, njofton se tash e tutje këto pasaporta njihen dhe gjithashtu ju hiqen vizat.

Me këto dokumente, serbët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen, duke iu pranuar shtetësia e Serbisë edhe për qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës, në një reagim të vobekët për televizionin Dukagjini, meqë akoma s’ka reaguar ndryshe, thotë se vendimi është një nguti e pashpjegueshme e BE-së.

“E pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet që munden dhe do të përcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, thuhet në reagimin e tyre.

Reagimi vazhdon me fraza të pakuptimta ku thuhet se “cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale”, sikur qenka qeveria e Kosovës që përcakton për BE-në se cilin dokument e konsideron ilegal e cilin jo.

Komunikata vazhdon duke e pranuar se vendimi është “në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës”, por pa treguar cilët janë hapat konkret të protestimit të këtij vendimi.

“Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, thuhet në reagim, thuajse përbënë kjo ndonjë diferencë në raport me situatën faktike, njohjen e tyre nga BE.

Çfarë ka ndodhur?

Këshilli i Bashkimit Evropian ka marrë vendim që të ua liberalizojë vizat serbëve të Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë që lëshohen nga Zyra Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ku sipas të cilave Kosova është pjesë e Serbisë.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Këshilli Evropian.

“Këshilli vendos heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe”.

“Miratimi i sotëm nga Këshilli përfundon procesin legjislativ. Me hyrjen në fuqi të rregullores, e cila do të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së, ajo do të bëhet e zbatueshme në të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, thuhet në komunikatë. 

Cka janë këto pasaporta?

Autoritetet e Serbisë lëshojnë disa pasaporta të veçanta për serbët e Kosovës, sipas të cilave Kosova është pjesë e shtetit serb.

Me këto lloj pasaportash janë të pajisur serbët që jetojnë në Kosovë.

Ato nuk janë identike si pasaportat për serbët që jetojnë në Serbi.

Gjithashtu, ndryshe nga pasaportat për qytetarët që jetojnë në Serbi që lëshohen nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, këto pasaporta lëshohen nga një institucion i quajtur Drejtoria Koordinuese serbe në Beograd.

Në dhjetor të vitit 2009, kur Bashkimi Evropian kishte vendosur t’ia liberalizojë vizat Serbisë për zonën Schengen, liberalizimi i vizave nuk kishte vlejtur edhe për këto pasaporta që Serbia i lëshon për serbët e Kosovës, duke vendosur kështu një mosnjohje për këto dokumente si të rregullta.

Por, në vitin 2023 Bashkimi Evropian përmes Komisionit bëri një propozim që të ketë heqje të vizave edhe për këto pasaporta, duke i njohur edhe ato si dokumente valide.

Propozimin e komisionit tash e ka aprovuar edhe Këshilli Evropian (praktikisht qeveria e BE-së), duke i bërë ato zyrtarisht dokumente valide për BE-në.

Kush i mban këto pasaporta?

Serbët e Kosovës.

Për shembull, një serb që jeton në Kosovë, në qytetin e Mitrovicës së Veriut, Prishtinës, apo cilido qytet tjetër, është I pajisur me një pasaportë të tillë ku i thuhet vendi I lindjes “Mitrovicë, Serbi”.

Kjo njohje e këtyre pasaportave praktikisht është lëvizje e BE-së nga qëndrimi i deritanishëm neutral i statusit të Kosovës, sepse tash për BE-në nuk është problem që në një dokument shkruan “Prishtinë, Serbi”, apo qytetet të tjera të Kosovës.

Qeveria e Kosovës e kishte kritikuar dhe kundërshtuar propozimin për përfshirjen e këtyre pasaportave në liberalizimin e vizave duke e quajtur si “shkelje e integritetit territorial të Kosovës”. Për më tepër, Qeveria e Kosovës kishte argumentuar se me një vendim të tillë BE-ja do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit të serbëve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore