Bota

Turqi-Arabi Saudite, Katari gati të ndërmjetësojë


Ndërmjetësimin midis Turqisë dhe Arabisë Saudite është i gatshëm ta kryejë shteti i Katarit. Këtë e bëri me dije i dërguesi i veçantë i Ministrisë së Jashtme të Katarit mbi terrorizmin dhe ndërmjetësimin, Mutlaq Al-Qahtani.

“Nëse dy shtetet mendojnë se Katari mund të ketë rol ndërmjetësues, jemi të gatshëm”, tha Al-Qahtani. “Kjo përputhet me principet tona mbi marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Shqetësimet për marrëdhëniet midis Turqisë dhe Arabisë Saudite ishim temë diskutimi e një simpoziumi në Doha. Falë përmirësimit të marrëdhënieve me sauditët, është hamendësuar se mund të ketë vend për ndërmjetësim.

“Interesi i të gjithëve është të ketë marrëdhënie miqësore midis shteteve”, shtoi Qahtani.

Marrëdhënia Turqi-Arabi Saudite

Turqia dhe Arabia Saudite datojnë në një konflikt të kahershëm mbi dy çështje kryesore: Mbështetjen e  Organizatës Politike Islamiste Vëllazëria Myslimane. Marrjen e kontrollit të botës sunite.

Një konfliktit midis Arabisë Saudite dhe Katarit në 2017-ën, bëri që Turqia të vendosej nga kahu i kësaj të fundit. Ankaraja zyrtare ka gjithashtu një bazë ushtarake në Doha. Mbështetje i është ofruar Katarit nga pala turke në të gjitha drejtimet.

Turqia ka mbajtur gjatë gjithë kohës një qëndrim të fuqishëm pro Katarit. Për shkak të kësaj, në mars të vitit 2018, princi saudit, Mohammad bin Selman, do të deklaronte se Turqia është pjesë e “trekëndëshi djallëzor”, së bashku me Iranin dhe Vëllazërinë Myslimane.

Konflikti ndërshtetëror i Gjirit Persik

Konflikti i Gjirit Persik do të zgjerohej. Përtej sauditëve, edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti, prishën marrëdhëniet diplomatike me Katarin. Kufijtë e tyre me Katarin u mbyllën. Akuza u hodhën se Doha mbështeste grupe terroriste.

Të gjitha akuzat janë mohuar nga ana e Katarit.

Pas një konflikti rreth tre vjeçar, raportet në Gjirin Persik u stabilizuan. Fillimisht rifilluan udhëtimet ndërmjet vendeve. Heqja e embargos, ishte hapi i radhës.

Që prej zgjidhjes së konfliktit, Ankaraja ka qenë optimiste. “Heqja e embargos është lëvizja e duhur dhe frytdhënëse”, deklaronte Recep Tayyip Erdogan, Presidenti i Turqisë. “Shpresoj që dhe pozicionimi ynë të sqarohet”

Erdogani kryesisht i referohej raporteve të balancuara në Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit Persik (GCC).

Tashmë, pritet një hap i radhës në qartësimin e marrëdhënieve midis Turqisë dhe Arabisë Saudite. Roli që do të ketë Katari si faktor ndërmjetësues, mbetet për t’u parë./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore