Lajme

“Trupat tona i kanë torturuar ukrainasit”, pranon ish-oficeri i ushtrisë ruse


Pretendimet për marrjen brutale në pyetje, ku burrat ukrainas janë qëlluar dhe kërcënuar me dhunë, janë bërë nga një ish-oficer ushtarak rus.

Konstantin Yefremov ka thënë në një intervistë ekskluzive për “BBC”-në se Rusia e sheh tani atë si tradhtar dhe dezertor.

Ai ka treguar se në një vend në jug të Ukrainës, “marrjet në pyetje nën tortura vazhduan për rreth një javë”. “Çdo ditë, natën, ndonjëherë dy herë në ditë”.

Yefremov u përpoq të jepte dorëheqjen nga ushtria shumë herë, por përfundoi duke u shkarkuar për refuzimin e kthimit në Ukrainë. Tani, ka ikur nga Rusia.

I dislokuar në Ukrainë vitin e kaluar, ish-togeri i lartë ka pranuar të tregojë për krimet që ka parë atje, duke përfshirë torturën dhe keqtrajtimin e të burgosurve ukrainas.

Ai flet për shokët e tij që plaçkitën zonat e pushtuara të Ukrainës dhe seancat brutale të marrjes në pyetje, të udhëhequra nga një kolonel rus, në të cilat burrat u qëlluan dhe u kërcënuan me dhunë.

Yefremov, më 10 shkurt 2022, ka treguar se mbërriti në Krime, gadishulli ukrainas i aneksuar nga Rusia nëntë vjet më parë.

Ishte kreu i një njësie të çminimit të Divizionit të 42-të të pushkëve të motorizuara dhe zakonisht ishte i vendosur në Çeçeni, në Kaukazin e Veriut të Rusisë.

Ai dhe njerëzit e tij u dërguan për të marrë pjesë në një “stërvitje ushtarake”.

“Asokohe, askush nuk besonte se do të kishte luftë. Të gjithë mendonin se kjo ishte vetëm një stërvitje. Jam i sigurt se as oficerët e lartë nuk e dinin”.

Ai kujton se pa trupat ruse duke ngjitur shenjat e identifikimit në uniformat e tyre dhe duke shkruar shkronjën “Z” në pajisjet dhe automjetet ushtarake.

Brenda pak ditësh, “Z” ishte bërë simboli i asaj që Kremlini e quante operacioni special ushtarak.

Yefremov pretendon se nuk donte të kishte të bënte me të.

“Vendosa të largohem. Shkova te komandanti im dhe i shpjegova pozicionin tim. Ai më çoi te një oficer i lartë që më quajti tradhtar dhe frikacak”.

“Lashë armën, hipa në një taksi dhe u nisa. Doja të kthehesha në bazën time në Çeçeni dhe të jepja dorëheqjen zyrtarisht. Më pas shokët më telefonuan me një paralajmërim”.

“Një kolonel kishte premtuar se do të më fuste në burg deri në dhjetë vjet për dezertim dhe kishte lajmëruar policinë”.

Ndaj, ai thirri një avokat ushtarak, i cili e këshilloi të kthehej.

“Tani e kuptoj se duhet ta kisha injoruar këtë dhe të vazhdoja. Por kisha frikë se mos më futnin në burg”.

Ai u kthye për t’u bashkuar me njerëzit e tij.

Yefremov këmbëngul se ai është kundër luftës. Dhe se nuk ka marrë pjesë në aneksimin e Krimesë nga Rusia, apo nuk ka luftuar në Ukrainën lindore kur shpërtheu lufta për herë të parë në Donbas nëntë vjet më parë.

Në vitin 2014, Rusia nuk u akuzua vetëm për orkestrimin e një kryengritjeje separatiste atje, por edhe për dërgimin e trupave të saj.

“Për tre vitet e fundit kam qenë i përfshirë në pastrimin e minave në Çeçeni, një vend që kishte përjetuar dy luftëra. Mendoj se puna që kam bërë atje ka qenë me përfitim për njerëzit”.

Yefremov u vendos në krye të një toge pushkësh përkohësisht.

Më 27 shkurt, tre ditë pas pushtimit rus, ai dhe njerëzit e tij u urdhëruan të lëviznin në veri nga Krimea e pushtuar. U nisën për në qytetin e Melitopol-it.

Dhjetë ditët e ardhshme u kaluan në një aeroport, i cili ishte kapur nga trupat ruse.

“Ushtarët dhe oficerët rrëmbyen gjithçka që mundën. Ata u ngjitën në të gjithë avionët dhe kaluan nëpër të gjitha ndërtesat”.

“Ata i hodhën të gjitha çka gjetën në kamionët e tyre. Aq shumë gjëra u desh të futeshin në automjete”.

Për një muaj e gjysmë, ai dhe tetë ushtarë nën komandën e tij ruanin një njësi të artilerisë ruse.

“Gjatë gjithë kohës ne kemi fjetur jashtë. Ishim aq të uritur sa filluam të gjuanim për lepuj dhe fazanë. Një herë hasëm në një pallat. Brenda ishte një luftëtar rus”.

“Kishte shumë ushqime. Frigoriferët ishin të mbushur. Kishte ushqim të mjaftueshëm për t’i mbijetuar një lufte bërthamore”.

“Pashë marrje në pyetje dhe tortura”.

Grupi i Yefremov u zhvendos për të ruajtur atë që ai e përshkruan si një “shtab logjistik” në prill – në qytetin Bilmak, në veri-lindje të Melitopol-it.

Atje, ai ka qenë dëshmitar i marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të burgosurve ukrainas.

Ai kujton një ditë kur u sollën tre të burgosur.

“Njëri prej tyre pranoi se ishte snajper. Me të dëgjuar këtë, koloneli rus e humbi toruan. Ai e goditi, i tërhoqi pantallonat e ukrainasit dhe e pyeti nëse ishte i martuar”.

“Ne do të të bëjmë vajzë dhe do t’i dërgojmë gruas tënde videon”, i thanë ata ukrainasit të kapur.

Një herë tjetër, koloneli i kërkoi të burgosurit të përmendte të gjithë nacionalistët ukrainas në njësinë e tij.

“Ukrainasi nuk e kuptoi pyetjen. Ai u përgjigj se ushtarët ishin këmbësoria detare e forcave të armatosura ukrainase. Për këtë përgjigje ata i thyen disa dhëmbë”.

Sipas Yefremov, i burgosuri ukrainas kishte një sy të lidhur.

Koloneli i vuri të burgosurit një pistoletë në ballë dhe i tha: “Do të numëroj deri në tre dhe më pas do të të qëlloj në kokë”.

“Ai numëroi dhe më pas qëlloi vetëm anash kokës, nga të dyja anët. Koloneli filloi t’i bërtiste. Unë i thashë se ai nuk dëgjonte sepse e kishte shurdhuar”.

Më pas, koloneli dha urdhër që mos t’ju jepej ushqim. Por ushtarët, sipas tij, përpiqeshin t’u jepnin çaj të ngrohtë dhe cigare.

Në mënyrë që të burgosurit të mos flinin në tokë të zhveshur, Yefremov kujton gjithashtu se si njerëzit e tij u hidhnin sanë “natën”, në mënyrë që askush të mos i shihte.

Gjatë një marrjeje tjetër në pyetje, koloneli qëlloi një të burgosur në krah dhe në këmbën e djathtë nën gju.

Ai ka treguar se njerëzit e tij e fashuan të burgosurin dhe shkuan te komandantët rusë pasi i burgosuri duhej të shkonte në spital, përndryshe ai do të vdiste nga humbja e gjakut.

“E veshëm me uniformë ruse dhe e çuam në spital. Ne i thamë: Mos thuaj se je rob lufte ukrainas, sepse ose mjekët do të refuzojnë të të trajtojnë, ose ushtarët rusë të plagosur do të dëgjojnë dhe ne nuk do të mund t’i ndalim ata”.

Yefremov përfundimisht do të kthehej në njësinë e tij të çminimit, por jo për shumë kohë.

“Shtatë prej nesh kishim marrë vendimin të largoheshim nga ushtria”.

Në fund të majit, përsëri në Çeçeni, ai shkroi letrën e tij të dorëheqjes. Disa oficerë të lartë nuk ishin të kënaqur me këtë lëvizje të tij.

“Ata filluan të më kërcënojnë. Oficerët që nuk kishin kaluar asnjë ditë në Ukrainë më thoshin se isha frikacak dhe tradhtar. Ata nuk më lejonin të jepja dorëheqjen. Më pushuan”.

Ai u akuzua për “shmangie nga detyra” dhe shpërfillje të urdhrit për t’u kthyer në Ukrainë. Çka përshkruhet si “një shkelje e rëndë e disiplinës”.

“Pas dhjetë vitesh shërbim më denoncuan si tradhtar, dezertues, vetëm se nuk doja të vrisja njerëz. Por unë isha i lumtur që tani isha i lirë, që nuk do të më duhej të vrisja apo të vritesha”.

Yefremov ishte jashtë ushtrisë. Por jo nga rreziku për t’u kthyer në luftë.

Në shtator 2022, Presidenti Putin shpalli atë që ai e quajti “mobilizim të pjesshëm”. Qindra mijëra qytetarë rusë do të thirreshin në ushtri dhe do të dërgoheshin në Ukrainë.

Ndaj Yefremov bëri gati planin e tij të arratisjes. Mori një banesë me qira ku mund të fshihej.

“U fsheha edhe nga fqinjët, sepse kisha dëgjuar për raste kur fqinjët i tregonin policisë për të rinjtë që ishin tërhequr dhe fshiheshin. Më dukej poshtëruese dhe e papranueshme kjo situatë”.

Yefremov kontaktoi grupin rus të të drejtave të njeriut Gulagu.net, i cili e ndihmoi atë të largohej nga Rusia.

Por çfarë mendon Yefremov për ata rusë – dhe ka shumë – që shprehin mbështetje për vendimin e Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën?

“Nuk e di se çfarë po ndodh në kokën e tyre. Si mund ta lejojnë veten të mashtrohen?”.

“Njeriut që i mashtron për 20 vjet, i mbetet vetëm të japë fjalën dhe këta njerëz janë gati të shkojnë të vrasin e të vdesin, nuk e kuptoj dot”.

Yefremov i kërkon falje popullit të Ukrainës.

“I kërkoj falje gjithë kombit ukrainas që erdha në shtëpinë e tyre si një mysafir i paftuar me një armë në duar. Falë Zotit nuk kam lënduar njeri, nuk kam vrarë njeri, faleminderit Zotit nuk jam vrarë”.

“Por unë nuk kam as të drejtën morale të kërkoj falje nga ukrainasit. Unë nuk mund ta fal veten, kështu që nuk mund të pres që ata të më falin”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore