Tri raste të dhunës në familje për një ditë në Prishtinë, dy të arrestuar

SHFLETO
Sahide Brati
15.08.2024 10:59
Loading Icons...

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar për 24 orë në Prishtinë, ku janë arrestuar dy persona dhe njëri është në kërkim policor.

Lajmi është bërë i ditur në raportin e Policisë së Kosovës.

Për njërin rastin, njoftohet se është sulmuar fizikisht një grua nga i dyshuari, të mërkurën, i cili është arrestuar.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në raport.

Aty theksohet se “palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”.

Njësoj edhe në rastin tjetër një grua ka raportuar që është sulmuar fizikisht nga një person, i cili është në kërkim policor.

“Viktima femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar si dhe ka pasur psikike nga i njëjti. I dyshuari gjendet në kërkim policor, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në njoftim.

Një tjetër person është arrestuar pasi kishte sulmuar fizikisht dy persona.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht dy viktimat një mashkull dhe një femër kosovare”.

Pas intervistimit, potencohet se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Më 12 gusht, tetë raste të dhunës në familje u raportuan për 24 orë, nga këto raste janë arrestuar gjashtë të dyshuarit burra.

Edhe më 13 gusht, u raportuan shtatë raste të dhunës në familje për 24 orë në Kosovë.