Shëndet

Transplanti i parë në botë: Një burri i vihet zemra e derrit


Kirurgu Bartley P Griffith (në të majtë) me David Bennett

Një 57-vjeçar është bërë personi i parë në botë që ka marrë zemrën e një derri të modifikuar gjenetikisht.

Sipas mjekëve në Baltimore, operacioni ka zgjatur shtatë orë dhe pacienti David Bennett është në gjendje të mirë shëndetësore.

Transplanti u konsiderua si shpresa e fundit për t’i shpëtuar jetën Bennett-it, megjithëse nuk është ende e qartë se cilat janë shanset e tij afatgjata për të mbijetuar.

“Ose vdis, ose bëje këtë transplant”, ishin fjalët që iu thanë atij një ditë para operacionit.

“E di që është një goditje në errësirë, por është zgjedhja ime e fundit”, u shpreh ai.

Mjekët në Qendrën Mjekësore të Universitetit të Maryland-it iu dha një dispenzim i veçantë nga rregullatori mjekësor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të kryer procedurën, me teorinë se nëse nuk bëhej, Bennett do të ishte i vdekur.

Ai ishte konsideruar i papërshtatshëm për një transplant njerëzor, një vendim që shpesh merret nga mjekët kur pacienti është në gjendje shumë të keqe shëndetësore.

Për ekipin mjekësor që kreu transplantin, ai shënon kulmin e viteve të kërkimit dhe mund të ndryshojë jetën në mbarë botën.

Ndërkaq, kirurgu Bartley Griffith tha se operacioni do ta sjellë botën në “një hap më afër zgjidhjes së krizës së mungesës së organeve”.

Këtë e bëri të ditur përmes një njoftimi të Shkollës së Mjekësisë të Universitetit të Maryland-it.

Kjo krizë do të thotë që 17 njerëz në ditë në SHBA vdesin në pritje të një transplanti, me më shumë se 100 mijë në listën e pritjes.

Mundësia e përdorimit të organeve të kafshëve për të ashtuquajturin “ksenotransplantim” për të plotësuar kërkesën është konsideruar prej kohësh dhe përdorimi i valvulave të zemrës së derrit është tashmë i zakonshëm.

Në tetor të vitit 2021, kirurgët në Nju Jork njoftuan se kishin transplantuar me sukses veshkën e një derri te një person. Në atë kohë, operacioni ishte eksperimenti më i avancuar në terren deri më tani.

Megjithatë, marrësi në atë rast ishte tru i vdekur pa asnjë shpresë për shërim.

Bennett, megjithatë, shpreson se transplanti i tij do ta lejojë të vazhdojë jetën. Ai ishte i shtrirë në shtrat për gjashtë javë para operacionit dhe i lidhur me një aparaturë që e mbajti gjallë pasi u diagnostikua me sëmundje terminale të zemrës.

“Mezi pres të ngrihem nga shtrati pasi të shërohem”, tha ai javën e kaluar.

Të hënën, Bennett u raportua se po merrte frymë vetë, ndërsa po monitorohej me kujdes.

Por saktësisht se çfarë do të ndodhë më pas mbetet ende e paqartë. Derri i përdorur në transplant ishte modifikuar gjenetikisht për të eliminuar disa gjene që do të kishin çuar në refuzimin e organit nga trupi i Bennett, raporton agjencia e lajmeve “AFP”.

Griffith tha se ata po ndiqnin me kujdes Bennett-in, ndërsa djali i tij David Bennett Jr tha për Associated Press se “ai e kupton madhësinë e operacionit që është bërë dhe e kupton vërtet rëndësinë e tij”.

“Ne kurrë nuk e kemi bërë këtë në një njeri dhe më pëlqen të mendoj se ne, i kemi dhënë atij një mundësi më të mirë se ajo që do të ishte vazhdimi i terapisë së tij”, tha Griffith.

“Por nëse (ai do të jetojë) një ditë, javë, muaj, vit, nuk e di”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore