Kosova

Tirana dhe Shkupi thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë pa vonesë Marrëveshjen e Ohrit


Olta Xhaçka dhe Bujar Osmani

Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Bujar Osmani dhe Olta Xhaçka, të hënën i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë pa vonesë marrëveshjen e arritur në Ohër më 18 mars mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb.

Osmani, në një konferencë të përbashkët për media me Xhaçkën, tha se kanë biseduar për marrëveshjen e arritur së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se janë pajtuar që kjo marrëveshje të zbatohet pa vonesë, për të cilën palët mund të llogarisin në ndihmën e fqinjëve.

“Ata janë fqinjët tanë dhe ne mirëpresim çdo progres që do të thotë stabilitet dhe prosperitet për të gjithë rajonin. Pavarësisht nga interpretimet e ndryshme se çfarë është rënë dakord dhe çfarë duhet të zbatohet, ne u pajtuam që marrëveshja ekziston dhe që palët ta zbatojnë pa vonesë”, tha Osmani.

Shkupi dhe Tirana, siç theksoi ai, konsiderojnë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo marrëveshje, në përputhje me parimet dhe elementet themelore të saj, të jetë gjithëpërfshirëse dhe që në një moment të rezultojë me njohje reciproke.

“I gjithë rajoni, të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të kenë një perspektivë të qartë evropiane, ku do të arrijnë integrimin e tyre dhe kjo nuk mund të realizohet me çështje të hapura dhe të pazgjidhura”, shtoi shefi i diplomacisë maqedonase.

Ndërkq, kryediplomatja shqiptare ka thënë se Shqipëria ka mirëpritur marrëveshjen e 18 marsit në Ohër bashkë me Aneksin Zbatues për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mendojmë se kjo marrëveshje do të përmirësojë perspektivën euroatlantike të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së për zbatimin e Aneksit, i cili është pjesë integrale e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Xhaçka.

Xhaçka: Korridori 8 duhet të shërbejë si bosht i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe RMV-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore