Përballje

Teuta fiton ndeshjen e parë përballë Skënderbeut


Teuta ka arritur fitoren në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë përballë Skënderbeut.

Ndeshja që u zhvillua në Korçë ishte shumë e rëndësishme për të dy skuadrat, të cilat te kupa e shohin një mundësi shumë të mirë për të fituar një trofe këtë edicion.

Takimi ishte shumë i qetë.

Në 45 minutat hapëse asnjëra nga skuadrat nuk arriti të futej në lojën e saj, duke mos krijuar raste për shënim.

Edhe pjesa e dytë ishte pak a shumë e njëjtë, me Teutën që kishte dominimin në një nuancë.

Ky dominim i vogël, iu ndihmoj djemve të detit që të arrinin deri te rrjeta.

Vetëm pak sekonda para se të mbushej një orë lojë, Rubin Hebaj me një goditje të bukur gjeti rrugën e rrjetës.

Për Hebaj ky është goli i dytë në dy takimet e fundit, pas atij që shënoi kundër Laçit në humbjen 2-4.

Deri në fund nuk ndryshoi asgjë, me Teutën që morri një fitore shumë të rëndësishme si mysafirë.

Dy skuadrat luajnë përsëri në ligë, përsëri në Korçë, më 31 janar.

Kurse ndeshja e kthimit në kupë, luhet më 9 shkurt në “Niko Dovana” të Durrësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore