Gjykata Speciale

Tetaj për Krasniqin e Veselin: Nuk i kam parë asnjëherë, vetëm mund të spekuloj


Dëshmitari Rrustem Tetaj

Dëshmitari Rrustem Tetaj, i cili po vazhdon dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka deklaruar se nëse flet për Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqi mund vetëm të bëjë spekulime, ngase ata dy nuk i ka parë kurrë gjatë luftës.

“Unë Kadri Veselin, vetëm në televizion edhe sot që po e shoh këtu se kurrë nuk e kam parë edhe masi nuk e parë dhe nuk ka qenë në zonën e luftës, ju lutem unë nuk di se çka ka më thënë për ta”.

“Këta e kam deklaruar edhe para Prokurorisë, vetëm për Hashim Thaçin që jam takuar me të dhe Rexhep Selimin në Jabllanicë e ato që i kam fol përpara, unë për Jakupin dhe Kadri Veselin vetëm se çka spekuloj se nuk kam dëgjuar”, tha dëshmitari.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se të pranishëm në sallën e gjyqit janë të gjithë të akuzuarit.

Më 3 shtator, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), ka nisur dëshminë Rrustem Tetaj, i cili është ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmia e tij pritet të zgjasë për dy ditë radhazi.

Ai fillimisht është intervistuar nga trupi i prokurorisë, ku është duke u pyetur për disa dokumente.

“A ju kujtohet që TPN-ja ju ka intervistuar në korrik dhe gusht të vitit 2002?”, ka qenë pyetja e prokurorit drejtuar Tetajt kurse përgjigja e tij ka qenë vetëm “po”.

Më 2 shtator, Imer Imeri, aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) gjatë luftës në Kosovë, ka dëshmuar në procesin gjyqësor kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Nuk jam këtu kundër UÇK-së – ajo është e artë për popullin e Kosovës – por mjerisht, veprat e individëve të caktuar më kanë sjellë sot këtu”, ishte deklarata e Imerit para prokurorëve dhe gjykatësve të hënën në seancë.

E prokurorja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Vega Iodice, ka thënë se Imeri është rrëmbyer në Kosovë dhe është mbajtur në një kazermë në Shqipëri, ndërsa aty është rrahur nga pjesëtarë të UÇK-së.

“Dëshmitari është shqiptar i Kosovës që është rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së sepse ishte përkrahës i LDK-së. E kanë mbajtur në kazermën ushtarake të UÇK-së në Shqipëri, ku edhe është rrahur nga ushtarët e UÇK-së”.

Nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 80 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 81-të.

Ish-presidenti i Kosovës, ish-kryeparlamentarët kosovarë dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), akuzohen nga e Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që ka nisur më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore