Kosova

“Tentuan ta shkëpusin Veriun nga Kosova e t’ia bashkojnë Serbisë” – aktakuza e Speciales për Radojiçiç-in me bashkëpunëtorë


Terroristet e Banjes

Qëllimi i Milan Radojiçiç-it, bashkë me 44 të pandehurit e tjerë që sulmuan Kosovën në Banjë të Zveçanit, ka qenë shkëputja e një pjese të territorit të Kosovës dhe bashkimi i asaj pjese me shtetin e Serbisë, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të njoftuar këtë të mërkurë nga kryeprokurori, Blerim Isufaj.

Sipas aktakuzës, në mesin e shumë veprave të tjera, Radojiçiç dhe bashkëpunëtorët e tij kanë kryer veprën penale “kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, pasi “duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë”, tregon aktakuza.

Me veprimet e të Radojiçiç-it dhe kriminelëve të tjerë në Banjë, prokuroria ka ardhur në përfundim se janë rrezikuar të mirat juridike të Republikës së Kosovës, siç janë rregullimi kushtetues, siguria, pavarësia, dhe integriteti territorial.

“Për shkak të rrezikshmërisë së madhe dhe pasojave të cilat mund t’i shkaktojnë këto vepra penale, në legjislacionin tonë janë paraparë dënime shumë të rënda…”, thuhet në aktakuzë.

Aty potencohet se prej vitit 2017 deri në 24 shtator të vitit të kaluar, kryeterroristi Radojiçiç, ka nisur grumbullimin e armatimit të rëndë, uniformave e mbështetjes logjistike për kryerjen e sulmit terrorist në Banjë të Komunës së Zveçanit.

Me këtë, Radojiçiç sipas Prokurorisë, ka kryer veprën “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”.

Ai gjithashtu akuzohet edhe për shpëlarje të parave.

“Nga data 01.01.2017 deri më datë 24.09.2023, i pandehuri Milan Radojiçiç duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të\ pandehurit Radule Steviç – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Steviç B.I dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Në aktakuzë gjithashtu shpjegohet në detaje se si u krye sulmi terrorist i 24 shtatorit.

“Më datë 24.09.2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjë të Komunës së Zveçanit, i pandehuri Milan Radojiçiç në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar së bashku me pjesëmarrësit e grupit Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç, Dusan Maksimoviç, Vladimir Radivojeviç, Ugljesa Jarediç, Milorad Jevtiç, Vlastimir Andriç, Aleksandar Milosavljeviç, Lazar Smigiç, Veljko Djordjeviç, Vladimir Vuçetiç, Stefan Jovanoviç, Milovan Krstoviç, Uros Miliç, Trajko Vasiç, Danilo Vasiç, Vukasin Jarediç, Sasa Periç”.

“Nemanja Stankoviç, Momçilo Vuckoviç, Stefan Radojkoviç, Marjan Radojeviç, Marko Arsiç, Zarko Cvetkoviç, Krsto Damjanoviç, Stefan Milosavljeviç, Marko Saviç, Aleksandar Jevremoviç, Rados Gvozdiç, Ivan Miliç, Gojko Zubaç, Nemanja Radivojeviç, Radak Adziç, Milos Milenkoviç, Dorde Baloviç, Danijel Dukiç, Danilo Virijeviç, Aleksandar Tanaskoviç, Milos Kragoviç, Miljan Nedeljkoviç, Nikola Iliç, Vladan Iliç”,

Këta të lartcekur në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketa hedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë, pastaj janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës, për t’i hequr kamionët dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda.

“Me ç’rast tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu, Sedat Dushi, sulm ky i cili ka vazhduar deri në orën 15:00 kur shumica dërrmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Republikën e Serbisë, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Çfarë ndodhi më 24 shtator?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Për Radojiçiç-in dhe disa të tjerë, aktualisht ekziston edhe një urdhërarrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore