Temperaturat rekord po rrisin gjasat që viti 2024 të jetë viti më i nxehtë në histori

SHFLETO
Sadiola Xhelili
06.09.2024 14:42
Loading Icons...

Vera e vitit 2024 ishte më e nxehta në hemisferën veriore që nga fillimi i regjistrimeve.

Kështu ka bërë me dije shërbimi i ndryshimeve klimatike të Bashkimit Evropian, Copernicus.

Temperatura mesatare globale për periudhën qershor-gusht 2024 ishte më e larta rekord në 0.69 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020 për ata tre muaj, sipas të dhënave të Copernicus.

“Gjatë tre muajve të fundit të vitit 2024, globi ka përjetuar qershorin dhe gushtin më të nxehtë, ditën më të nxehtë të regjistruar dhe verën më të nxehtë të regjistruar”, tha zëvendësdrejtoresha Samantha Burgess.

“Ky varg temperaturash rekord po rrit gjasat që viti 2024 të jetë viti më i nxehtë i regjistruar”, tha ajo.

“Ngjarjet ekstreme të lidhura me temperaturën e dëshmuar këtë verë do të bëhen më intensive, me pasoja më shkatërruese për njerëzit dhe planetin nëse nuk marrim masa urgjente për të reduktuar emetimet e gazeve serrë”.

Temperatura mesatare evropiane gjatë tre muajve të verës ishte më e larta në rekord me 1.54 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm nga viti 2022 prej 1.34 gradë Celsius.

Referuar raportit, ishte më i lagësht se mesatarja në Evropën Perëndimore dhe Veriore.

Shumica e rajonit të Mesdheut dhe Evropës Lindore panë kushte më të thata se mesatarja gjatë gjithë sezonit, në disa raste të lidhura me thatësirën.

Për periudhën nga shtatori 2023 deri në gusht 2024, temperatura mesatare globale ishte 1.64 gradë Celsius mbi mesataren para-industriale, sipas të dhënave të Copernicus.

Shërbimi i klimës Copernicus i Bashkimit Evropian publikon rregullisht të dhëna për temperaturën e sipërfaqes së tokës, mbulesën e akullit të detit dhe reshjet.

Gjetjet bazohen në analizat e krijuara nga kompjuteri që përfshijnë miliarda matje nga satelitët, anijet, avionët dhe stacionet e motit në mbarë botën.