Kosova

Takimi Kurti – Vuçiç, Rashiç: Një lëvizje drejtë negociatave më intensive


Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, s’është optimist për arritjen e ndonjë rezultati në takimin e radhës në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç-it.

Megjithatë, në vlerësimin e tij, takimi i 26 qershorit mund të konsiderohet si një lëvizje drejtë negociatave “më intensive që do të çojnë në një marrëveshje përfundimtare”.

“Me këtë do të duhej të fillonte intensiteti që duhet t’i japë pak më shumë dinamikë dialogut. Ka një momentum që ndoshta është dhënë për pezullimin e pjesshëm të masave të BE-së ndaj Kosovës dhe kësisoj do të përdoret qasje më optimiste për fillimin e raundit të negociatave dhe bisedimeve që mund të përfshihet, për mendimin tim, si një paketë që do të jetë gjithëpërfshirëse”, ka thënë Rashiç në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK 2.

Mënyra më e mirë për një zgjidhje kompromisi dhe normalizim të marrëdhënieve, sipas Rashiç, do të ishte sikur serbët të ishin pjesë teknike e negociatave.

“Ky është në thelb gabimi më i madh i Brukselit”.

E kur bëhet fjala për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Rashiç beson se modeli i formimit të tij do të prezantohet nga “ana e organizatave të huaja që punojnë si këshillëdhënëse në administratën e Brukselit”.

“Gjëja më e rëndësishme është se Kurti ka konfirmuar se detyrimet që janë marrë përsipër, të cilat janë nënshkruar më herët, Kosova do t’i ndërmarrë sepse marrëveshjet ndërkombëtare kanë një peshë më të madhe se ligjet vendore dhe për këtë arsye ato duhet respektuar, pavarësisht se kush është kryeministër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore