Sveçla: Djegja e veturave në Veri e orkestruar nga Beogradi – i arrestuari pjesë e strukturës “Mbrojtja Civile”
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të një të dyshuari për djegjen e veturave në Veri të Kosovës dhe sulme ndaj Policisë së Kosovës.
“Djegja e veturave të qytetarëve tanë në veri e orkestruar nga Beogradi me qëllim të shkaktimit të frikës tek qytetarët tjerë është pa dyshim akt i rëndë kriminal. Siç edhe kemi thënë sa herë kanë ndodhur akte të tilla, njësitet relevante policore kanë qenë të angazhuara në identifikimin e kriminelëve që kanë kryer akte të tilla”, shkroi Sveçla në Facebook.
Tutje, ai tha se një nga të dyshuarit është arrestuar dhe se i cili përveç djegieve të veturave ka qenë i përfshirë edhe në vepra të tjera kriminale.
“Njëri nga ta sot është arrestuar dhe i cili përveç që ka qenë i përfshirë në djegien e veturave në veri, si pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës “Mbrojtje Civile”, më parë ai kishte sulmuar me armë Policinë e Kosovës duke i plagosur dy zyrtarë të saj”.
Ndërkaq, ai shtoi se të gjithë ata që kryejnë akte kriminale, e që janë të dirigjuar nga Beogradi do të sillen para drejtësisë.
“Secili që si individ apo si pjesë e grupeve kriminale të dirigjuara nga Beogradi ka kryer çdo lloj akti kriminal me qëllim të destabilizimit të vendit tonë, do të identifikohet dhe sillet para drejtësisë”.
Gjithashtu, ministri i Punëve të Brendshme i rënditi të gjitha akuzat për të cilat dyshohet i arrestuari i Policisë.
Në kuptim të kësaj, shtetasi serb i arrestuar sot akuzohet për “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Ndryshe, Policia e Kosovës këtë të shtune ka njoftuar se është arrestuar një i dyshuar për djegjen e veturave në Veri të Kosovës.
“Policia e Kosovës, në vazhdën e luftës kundër krimit të organizuar, parandalimit të veprave kriminale dhe arrestimit të kryerësve të veprave penale, ka arrestuar një person të dyshuar, i cili kërkohej mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në disa vepra penale”, thuhet në njoftim.
“I njejti, gjithashtu është i dyshuar edhe për djegjen e veturave në rajonin e Zubin Potokut, të cilat ishin regjistruar në targa të Republikës së Kosovës”.
Ndërkaq, në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari është i nacionalitetit serb, dhe i njëjti është arrestuar rreth orës 17:00.
“Arrestimi i të dyshuarit mashkull kosovar i nacionalitetit serb (M. B. 1987), është kryer sot rreth orës 17:00, pas hetimeve intenzive të kryera nga njësitet relevante policore”.
Përveç djegjeve të veturave, policia njofton se i dyshuari akuzohet edhe për përfshirje në rastin e sulmit të njësisë së Policisë së Kosovës, “ku si pasojë dy zyrtarë policorë kishin pësuar plagë nga arma e zjarrit”.
“Lidhur me këtë rast kundër tij ishte ngritur kallëzim penal për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Vrasje në tentativë”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare””.
Gjithashtu, në njoftim thuhet se “të gjitha veprimet e mëtejme, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Diplomacia e Kosovës në Amerikën Latine përballë përplasjes me Perëndimin
-
Gazetarja serbe: Vuçiç s’e thotë të vërtetën – Kosova është shtet i pavarur
-
Kurti për doganierin e EULEX-it të vrarë në Veri: U qëllua me gjakftohtësi
-
“Përndjekje ndaj simbolit tonë kombëtar”, Mustafi dënohet nga Serbia për ngritjen e flamurit shqiptar