Kosova

Sveçla: Ata që po bëjnë akte terroriste në Veri janë profesionistë, por qytetarët të qëndrojnë të qetë


Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se personat që kanë bërë veprime huliganeske në Veri dhe akte terroriste, siç ishte vendosja e bombës në një qendër të zyrtarëve komunalë zgjedhorë, janë profesionistë të mbështetur nga Beogradi, gjithsesi ka pohuar që situata është relativisht e qetë, prandaj qytetarët s’kanë arsye për t’u brengosur.

“Ne e dimë që këto raste nuk janë spontane, ato janë të organizuara, janë të drejtuara nga njerëz profesionistë, të udhëhequr nga qeveria e Begoradit, jo vetëm të mbështetur politikisht, por edhe financiarisht. Gjithsesi, unë jam i bindur që kemi kapacitet të ballafaqohemi me çfarëdo situate”, tha ai në një paraqitje për Radio Televizionin e Kosovës.

“Qytetarët s’kanë nevojë të brengosen për sigurinë e tyre dhe besoj se do të vazhdojë kjo situatë edhe më tutje. Ne jemi shtet i së drejtës dhe përmes instrumenteve demokratike kushtetuese do të garantojmë të drejtat për të gjithë”.

Sa për të shtënat me armë zjarri dhe hedhjen e shok bombave, ministri pohoi se kanë filluar hetimet dhe pret që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

“Mua më kanë siguruar se po punojnë me kapacitet të plota dhe shumë shpejt do të ketë rezultatet e duhura”, pohoi Sveçla.

I pyetur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të 18 dhe 25 dhjetorit në katër komunat veriore, ministri nuk u tregua aq kompetent, njëjtë si edhe në deklarimin e dhënë më herët.

“Institucionet që janë të thirrura për të bërë vlerësimet e duhura janë duke punuar drejt pasqyrimit të qartë të rrethanave dhe rreziqeve, për çfarëdo procesi zgjedhor këtyre ditëve, unë po pres që KQZ dhe Policia të dalin me rekomandime që më pas t’ia përcjellim presidentes, për të marrë veprimet e dhurua”, deklaroi.

“Unë po ju them se jam optimist mbi kapacitete e policisë për të ofruar siguri, tash nuk mund të parashikojë çfarë do të ndodhë në vijim, besoj se kjo t’u lihet profesionistëve”.

Shpallja e zgjedhjeve në Veri nga presidentja e Kosovës erdhi pasi Lista Serbe dogji mandatet dhe tërhoqi serbët nga të gjitha nivelet institucionale e politike në Kosovë, si revoltë ndaj vendimit të Qeverisë për qortimin, gjobitjen dhe zëvendësimin e targave ilegale serbe me iniciale të qyteteve të Kosovës, me ato RKS.

Më pas, me kërkesën ndërkombëtare, Qeveria u tërhoq nga vendimi për targat, duke e shtyrë atë, mirëpo serbët nuk u kthyen në institucione.

Ata tani thonë se nuk do të kthehen, po që se nuk fillon qeveria me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore