Sveçla akuzon institucionet e drejtësisë për dështim: Krivaqa kishte 136 vepra penale

SHFLETO

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla

 

Valon Rashiti
26.08.2021 18:46
Loading Icons...

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka akuzuar publikisht për dështim prokurorinë e shtetit dhe gjykatat në vend, pasi Gjykata Themelore e Ferizajt mohoi një deklaratë të tij se i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj nuk ka pasur akuza për 136 vepra penale, por për nëntë.

“Pushtetet në Kosovë i kemi të ndara, por krimin duhet ta luftojmë së bashku, kështu e kërkon ligji. Praktika e fshehjes prapa veprave kriminale, e parashkrimi me qëllim i lëndëve kriminale ‘për miqtë’ dhe ‘të fortët’, si dhe hedhja e fajit tek tjetri duhet të marrë fund”, ka thënë ai në një postim në Facebook.

Ministri i MPB-së, ka akuzuar prokurorët e gjykatësit se ata e kanë shpërblyer Krivaqën me dënim me kusht.

“Në dosjen zyrtare të Policisë së Kosovës, krimineli Dardan Krivaqa figuron se është i akuzuar për 135 vepra penale, ku përveç vrasjes makabre, ai akuzohej edhe për shumë vepra të tjera përfshi përdhunim, zhvatje, mashtrim, kanosje, grabitje, sulm fizik, vjedhje, therrje me thikë të zyrtarit policor lista është e gjatë, dhe nëse për këtë nuk dinë prokurorët dhe gjykatësit, atëherë çfarë dinë ata”.

“Apo, ata dinë që këtë kriminel recidivist ta akuzojnë dhe shpërblejnë me dënim me kusht – punë në dobi të komunitetit! Në anën tjetër, mijëra lëndë të pazgjidhura qëndrojnë me vite të tëra nëpër prokurori e gjykata si rezultat i dështimit të sistemit të drejtësisë për t’i trajtuar ato dhe për të vendosur drejtësinë për qindra e mijëra qytetarë anë e mbanë Kosovës”, ka vazhduar ai.

Sipas tij, “në qoftë se prokuroria dhe gjykatat nuk kanë qasje në databazën e Policisë së Kosovës, ua dërgoj unë listën”.

Ndryshe, pasditen e së dielës, më 22 gusht 2021, para Qendrës së Emergjencës në Ferizaj, u la pa shenja jete 18-vjeçarja, Marigona Osmani, nga Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu.

Të dy u arrestuan më vonë, njëri pas disa orëve e tjetri pas dy ditëve, në të njëjtën kohë kur qytetarë të shumtë po protestonin duke kërkuar dënimin maksimal për fajtorin.

Marigonës iu dha lamtumira e fundit të mërkurën më 24 gusht, në varrezat e Ferizajt.