“Asnjë më shumë”, protesta në Ferizaj kundër vrasjes së 18 vjeçares
SHFLETO
albanianpost
24.08.2021 13:11
Loading Icons...
“Asnjë më shumë”, “Gjykatat i kanë duart me gjakun e grave”, “Dënim maksimal për vrasësit e grave”, “Poshtë institucionet patriarkale”, ishin disa nga thirrjet e organizatorëve të protestës së organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, në Ferizaj, pas vrasjes së 18 vjeçares M.O., të dielën në mesditë.
“Qeveri mos i mshelni sytë”, “Vrasja e grave është politike”, “Dënim maksimal për Arbër Sejdiun”, “Dënim maksimal për Dardan Krivaqën”, “Jeta e grave hajgare për shtetin”, “Jeta e grave hajgare për policinë”, “Jeta e grave hajgare për Prokurorinë”, “Jeta e grave hajgare për Gjykatat”, vazhduan protestën organizatorët para hyrjes në objektin e Policisë Rajonale të Ferizajt, dhjetëra protestues.
Organizatoret e protestës, i bënë thirrje institucioneve të vendit që të “Adresojnë dhunën sipas konventës së Stambollit”, meqë “këtë konventë e ka votuar kuvendi, por nuk po gjen zbatim”, sipas tyre.
“Në qytetin e Ferizajt, edhe një grua u vra në mënyrë arbitrare, për tu dërguar pa jetë në spitalin e qytetit. Ky rast i femicidit, përveç që është duke shpërfaqur mendësinë dhunuese patriarkale, është tregues i dështimit institucional për ta trajtuar sigurinë e grave me prioritet”, foli njëra nga organizatoret, para medieve, gjatë protestës.
Ajo vazhdoi duke thënë se ë shoqërinë tonë nuk ka vend të sigurt për gratë dhe vajzat.
“Gratë rrihen, dhunohen, vriten edhe n shtëpitë e tyre. Gratë rrihen, dhunohen e vriten edhe në rrugë, edhe nga institucionet tona”.
“Gratë fajësohen për krimet e padrejtësitë ndaj tyre. Gratë fajësohen edhe për vrasjet që ju ndodhin. Të mllefosura nga ky rast dhe realiteti i frikshëm në të cilin jetojnë gratë dhe vajzat në Kosovë, ne sot po protestojmë, si revoltë ndaj dhunës dhe femicidit në Kosovë”, ka vazhduar më tej fjalimin para Policisë një nga organizatoret e kësaj proteste.
Më pas protestuesit gjuan ngjyrë të kuqe në drejtim të policisë.
“Policia po tutet prej ngjyrës së kuqe”, ishte komenti i organizatorëve pasi gjuan ngjyrën në drejtim të Policisë, në oborrin e këtij institucioni.
Më pas protestuesit, u ndalën para objektit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Prokuroria i ka duart me gjak”, “Kush na mbron prej policisë”, “Jeta e grave hajgare për shtetin”, “Femicidi është urgjencë kombëtare”, “Dënim maksimal për Arbër Sejdiun”, “Dënim maksimal për Dardan Krivaqën”, “Duam drejtësi për Marigonën”, ishin disa nga thirrjet e protestueseve para Prokurorisë.
“Mos i lëshoni me procedura të rregullta” dhe “Edhe sa thirrje të humbura”, ishin thirrjet e fundit, pas të cilave, protestueset gjuajtën vezë, në drejtim të Policisë të cilët po bënin siguri, para hyrjes së objektin e Prokurorisë Themelore të Ferizaj, pak metra larg objektit të Policisë.
Pas gjithë kësaj Mehmet Alihajdini, shef i operativës rajonale, në Policinë e Ferizajt, dha lajmin për arrestimin e të dyshuarit kryesorë për vrasjen e 18 vjeçares nga Ferizaj.
“Para 2-3 minutave morra konfirmimin se personi i dyshuar, Dardan Krivaqa, është arrestuar para pesë minutave, këtu diku në Ferizaj. Njësitet Policore janë në terren dhe janë duke e sjellë personin e dyshimtë në objektin e Policisë. Është arrestuar në territorin e Ferizajt, në një fshat. Kjo ishte e tëra që desha me nda”, përfundon deklaratën e shkurtër para gazetarëve që po mbulonin protestën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore.