Përballje

Superliga e Kosovës, në fokus ndeshja Llapi – Prishtina


Fillon sot java e 18-të në Superligën e Kosovës.

Në aksion vijnë skuadra nga çdo sektor i renditjes në tabelë.

Drita kërkon kreun, Ulpiana, Feronikeli dhe Drenica shkëputjen nga zona e ftohtë kurse Llapi dhe Prishtina duelojnë për Evropën.

Si zakonisht, dy nga ndeshjet nisin në orën 13:00, kurse njëra nga ato në 13:30.

Në Gjilan, Drita pret Ulpianën.

Vendasit po kalojnë një formë shumë të mirë dhe me një fitore eventuale sot ata do të ngjiten në vendin e parë.

Ulpiana në anën tjetër është pa fitore në katër takimet e fundit, dhe kërkon që me një triumf sot të largohet sado pak nga zona e rrezikut.

Në të njëjtën kohë, zhvillohet edhe ndeshja për mbijetesë, mes Feronikelit dhe Drenicës.

Dy skuadrat po kalojnë formë jashtëzakonisht të dobët, dhe sot dueli me njëra-tjetrën mund të shërbej që njëra të dal nga kriza.

Drenicës i ndihmon pak fillimi i mirë i sezonit, dhe me një fitore sot ata menjëherë mund të ngjiten përsëri në luftë për Evropën.

Feronikeli, nuk ka mundësi që të largohet nga vendi i fundit edhe me fitore, pasi ndodhet gjashtë pikë prapa Dukagjinit të vendit të nëntë.

Në orën 13:30, luhet edhe super dueli mes Llapit dhe Prishtinës.

Vendi i katërt dhe i pestë vijnë përballë njëra-tjetrës, me synimin që të arrijnë fitoren për të mbajtur hapin me kryesuesit.

Llapi ka 26 pikë derisa Prishtina ka 24, me barazimin që nuk i bën punë asnjërës.

Këto takime mbyllin ditën e shtunë në Superligën e Kosovës, derisa të dielën me dy ndeshje mbyllet java e 18-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore