Sport

Superiorja përfundon vitin kalendarik me tre përballje, mes tyre derbi i kryeqytetit


Tre ndeshje do të luhen këtë të enjte në Abissnet Superiore. Sfidat luhen për javën e 15 dhe përmbyllin vitin kalendarik të kampionatit.

Vllaznia pret Kukësin. Teuta përballet me Egnatian. Dhe sfida kryesore e ditës do të jetë “Derbi i Kryeqytetit”, mes Partizanit dhe Tiranës.

Në “Loro Boriçi”, Vllaznia vendase pret Kukësin, duke filluar nga ora 16:45. Të dy skuadrat gjenden në vendet e para të tabelës së renditjes. Verilindorët mbajnë vendin e tretë me 27 pikë. Shkodranët renditen të katërtit me 24 pikë.

Në shtëpi, kuqeblutë numërojnë pesë fitore, një barazim dhe një humbje. Kanë shënuar 14 gola dhe kanë pësuar shtatë.

Kukësi në transfertë numëron tre fitore, tre barazime dhe një humbje. Ata janë skuadra që ka fituar më shumë pikë në transfertë, 12 pikë. Kanë shënuar 14 gola dhe kanë pësuar shtatë.

Në pesë takimet e fundit në kampionat, Vllaznia numëron tre fitore dhe dy barazime. Për Kukësin janë tre fitore, një humbje dhe një barazim.

Përballja e fundit mes dy skuadrave, e luajtur gjatë fazës së parë të kampionatit, përfundoi me shifrat 2-0 për verilindorët.

Në “Elbasan Arena”, duke filluar nga ora 16:45, Teuta do të përballet me Egnatian. Vendi i gjashtë dhe 18 pikë në renditje për durrsakët. Rrogozhinasit kanë 11 pikë dhe renditen të parafundit në kampionat.

Teuta në ndeshjet si ekip pritës numëron një fitore, pesë barazime dhe një humbje. Ka shënuar shtatë gola dhe ka pësuar po aq.

Egnatia në transfertë numëron një fitore, tre barazime dhe tre humbje. Ka shënuar katër gola dhe ka pësuar tetë.

Në pesë takimit e fundit, Teuta numëron një fitore, dy barazime dhe dy humbje. Egnatia numëron pesë humbje.

Përballjen e fundit mes dy skuadrave, të luajtur gjatë fazës së parë të kampionatit, e fituan durrsakët me rezultatin minimal 1-0.

Sfida e fundit për këtë vit në Superiore do të luhet mes Partizanit dhe Tiranës. Derbi i kryeqytetit do të luhet në stadiumin “Air Albania”, duke filluar nga ora 19:45.

Bardheblutë udhëheqin renditjen e kampionatit me 30 pikë, pas 14 javëve të luajtura. “Demat e Kuq” kanë 18 pikë dhe renditen në vendin e pestë.

Në ndeshjet si ekip pritës, Partizani numëron tre fitore dhe katër barazime. Së bashku me Tiranën, të kuqtë janë dy skuadrat pa humbje në shtëpi. Ndërkohë, që kanë shënuar nëntë gola dhe kanë pësuar gjashtë.

Në transfertë, bardheblutë numërojnë tre fitore, dy barazime dhe dy humbje. Kanë shënuar nëntë herë dhe kanë pësuar gjashtë.

Në pesë tekimet e fundit në kampionat, Partizani numëron tre fitore dhe dy humbje. Tirana numëron tre fitore, një barazim dhe një humbje.

Ndeshjen e fundit mes tyre, e luajtur gjatë fazës së parë të kampionatit, e fitoi Tirana me rezultatin minimal 1-0.

Abissnet Superiore do të rifillojë me javën e 16 të saj në janar të 2022. 15 janari është përcaktuar data e rifillimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore