Kosova

Sulmet fizike ndaj personelit shëndetësor – pasojë e mungesës së kushteve


Foto: The Guardian.

Sulmet fizike ndaj personelit shëndetësor kanë qenë në rritje kohët e fundit. Për vetëm një javë në Kosovë janë raportuar dy raste të sulmeve fizike ndaj këtij personeli.

Mantelbardhët konsiderojnë se kjo vjen edhe si pasojë e mungesës së kushteve bazike.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një prononcim për Albanian Post, tregon disa arsyeje se pse kemi sulme kaq të shpeshta.

“Faktori i parë është se pacientet më të vërtetë janë lodhur me pritje me mos pasje të mjeteve që ju japin shërbim”.

“Në anën tjetër, ata të cilët duhet ta sigurojnë qetësinë e punëtorit shëndetësor për dhënien e shërbimeve dhe ofrimin e kushteve për dhënien e shërbimeve kualitative, zvogëlimin e listës së pritjes duke e rritur stafin e punëtorëve shëndetësor nuk janë duke reaguar”, thotë Sejdiu.

Ndër të tjera, Sejdiu, konsideron se ka një zgjidhje për këtë çështje.

“Zgjidhja është krijim i kushteve të punës për punëtorët shëndetësor edhe ofrimi i të gjitha mjeteve për dhënien e këtyre shërbimeve”.

Ilustrim: Infermierët në Kosovë.

Cilat janë dënimet ndaj pacientëve që sulmojnë personelin shëndetësor?

Juristi Anton Nrecaj, në një bisedë për Albanian Post, ka bërë të ditur dënimet që mund të vendosen ndaj pacientëve që ushtrojnë dhunë fizike ndaj stafit mjekësor.

“Mund të jetë për tre muaj deri në tre vjet njëri nga opsionet madje e kemi gjashtë muaj deri në pesë vjet ndërsa dënimi maksimal që mundet në rastin më të rëndë mund të jetë mbi bazën e asaj që parasheh kodi penal është dënimi me burgim deri në tetë vite, gjithmonë unë po e flas këtë pjesën e masave ndëshkuese që janë më të rënda”, thekson Nrecaj.

Ai konsideron se është momenti që të ndalohen rastet e tilla.

“Ka ardhur koha që këto dispozitat ligjore dhe këto veprime të sulmeve ndaj personelit zyrtar aq më tepër të personelit stafit mjekësor të ndalohen një herë e përgjithmonë dhe të krijohen praktika të mira gjyqësore që të zbatohen në përpikmëri dispozitat ligjore të cilat i parasheh kodi penal i Kosovës”.

Më 21 mars, në komunën e Skenderajt përmes një proteste të organizuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, mjekët dhe infermierët kanë shprehur shqetësimin e tyre për sulmet fizike ndaj personelit shëndetësore, ndërkohë që kanë kërkuar edhe reagim nga organet kompetente të rendit dhe të sigurisë.

Ndryshe, ministri aktual i Shëndetësisë në Kosovë, Rifat Latifi, po konsiderohet nga njohësit e çështjes së shëndetësisë se nuk është duke e njohur mjaft mirë sistemin shëndetësor në Kosovë.

Njohësi i fushës së Shëndetësisë, Bujar Vitija në një prononcim për AP ka potencuar se për problemet që sistemi shëndetësor ka, Latifi nuk duket që është mjaft mirë i informuar.

“Andaj konsideroj se Latifi duhet ta marr më shumë seriozisht rolin e tij si ministër, të njoh më shumë sistemin shëndetësor, legjislacionin, problemet dhe ambientin në të cilin punohet në ministri, për të kuptuar më mirë problemet me të cilat përballemi dhe të gjendet zgjidhje për to”.

Pakënaqësi rreth udhëheqjes së Latifit kanë shprehur edhe Specializantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kështu duke e parë si opsion të vetëm daljen në rrugë dhe protestimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore