Lajme

Stoltenberg: Ka arsye për shqetësim në rajon, Asociacioni mund të jetë një hap i rëndësishëm


Sekreti i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg.

Sekreti i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg ka përfunduar vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor, ku sipas tij rajoni ka arsye për shqetësim, por që formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e ka konsideruar si “hap të rëndësishëm”.

Përmes një komunikate për media nga NATO-ja është thënë se për Stoltenberg, rajoni është “strategjikisht i rëndësishëm”.

“Në çdo ndalesë, e kam bërë të qartë se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga të gjitha palët që zgjedhin dialogun dhe diplomacinë në vend të konfliktit dhe kaosit”, tha ai. “Ky rajon është strategjikisht i rëndësishëm për NATO-n, por ka arsye për shqetësim”, tha ai.

Në vizitën e tij Stoltenberg, kërkoi nga Kosova dhe Serbia, që të riangazhohen në dialog.

“Propozimet e fundit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë mund të jetë një hap i rëndësishëm përpara”, tha ai, duke shtuar se, “është koha për të tejkaluar konfliktet rajonale që kanë vazhduar për një kohë të gjatë”.

Ai të mërkurën e 22 nëntorit përfundoi vizitën me krerët aleatë nga Ballkani Perëndimor, me të cilët diskutoi për forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes së NATO-s, konkurrencën në rritje gjeostrategjike, mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për Ukrainën dhe situatën në Ballkanin Perëndimor.

Më 22 nëntor, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një konference të përbashkët shtypi me katër liderë rajonalë të Aleancës, ka pranuar se situata në Ballkanin Perëndimor është e brishtë, mbi të gjitha në Bosnjë dhe Hercegovinë, si edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë të fundit, ai ka veçuar ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një hap me rëndësi drejt stabilizimit.

Por, nuk përmendi nëse kjo gjë, do të ishte një hap përfundimtar drejt paqes, pasi kërkoi riangazhim të palëve në dialogun e ndërmjetësuar prej Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ashtu siç e ka theksuar edhe më parë, Stoltenberg përmendi se një kërcënim direkt ushtarak, NATO-ja nuk e sheh për këtë rajon.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën ka qëndruar për vizitë në Kosovë, në kuadër të një turneu katërditor në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas kësaj ai ka vazhduar vizitën edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe situatën e rënduar të sigurisë në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore