Lajme

Stoltenberg pranon se rajoni është i brishtë, themelimin e Asociacionit e cilëson hap me rëndësi drejt stabilizimit


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë një konference të përbashkët shtypi me katër liderë rajonalë të Aleancës, ka pranuar se situata në Ballkanin Perëndimor është e brishtë, mbi të gjitha në Bosnjë dhe Hercegovinë, si edhe në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë të fundit, ai ka veçuar ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një hap me rëndësi drejt stabilizimit.

Por, nuk përmendi nëse kjo gjë, do të ishte një hap përfundimtar drejt paqes, pasi kërkoi riangazhim të palëve në dialogun e ndërmjetësuar prej Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ashtu siç e ka theksuar edhe më parë, Stoltenberg përmendi se një kërcënim direkt ushtarak, NATO-ja nuk e sheh për këtë rajon.

Ka vetëm rritje të tensioneve në veri të Kosovës dhe një rritje të tensioneve po ashtu në Bosnjë. Por jo kërcënim direkt ushtarak.

Pavarësisht kësaj, ai shpjegoi se Alanca është e shqetësuar për çfarë po ndodh në rajon dhe prania këtu nuk mungon.

Në hapje të konferencës, Stoltenberg – duke parë edhe se takimi joformal u zhvillua në Maqedoninë e Veriut – e përmendi këtë të fundit si një model suksesi të një shteti multietnik. Kësisoj, edhe si një model që Bosnja, apo Kosova, duhet të ndjekin drejt të ardhmes.

“Rajoni është strategjik për NATO-n”, ravijëzoi ai. “Në veri të Kosovës ka siguri të brishtë. Vende autoritare si Rusia, duan të na cenojnë me kërcënime kibernetike”.

Në takim, sipas Stoltenberg, janë cekur dhe adresuar të gjitha problemet e sigurisë në Ballkan.

Por këto do të ritheksohen edhe një herë në Samitin e radhës të NATO-s, i cili do të zhvillohet në SHBA, për të shënjuar 75-vjetorin e themelimit të Aleancës.

Në këtë samit, në fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm, do të linjëzohen edhe një herë vendet e rajonit, për të hartuar strategjinë e të ardhmes, me vëmendje në Ballkanin Perëndimor.

Pjesë integrale e bisedimeve ka qenë dhe situata në frontin e Luftës në Ukrainë, ku do të ketë një forcim të lidhjes me Kievin dhe mbështetje të shtuar për ukrainasit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore