Shqipëria

“Start-Up” dhe veterinari, Qeveria merr dy vendime me rëndësi


Dy vendime me rëndësi janë marrë nga Qeveria shqiptare, për sa i përket “Start-Up”-eve dhe veterinarisë, në kuadër të nismës rajonale “Open Balkan”.

Mbi “Start-Up”-et, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali, bëri të ditur se të gjithë aplikantët, të cilët duan të promovojnë bizneset e tyre, mund të regjistrohen në portalin e-Albania.

Ajo bëri gjithashtu me dije se nga çasti i regjistrimit, do të ketë një periudhë intubimi prej 24 muajsh. Gjatë saj, bizneset do të marrin këshillimin nga ministri i Shtetit për Sipërmarrjen.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali

Më tej ajo theksoi se, “regjistrimi dhe marrja e shërbimeve do të jetë pa pagesë dhe online. Kjo e fundit si pjesë e planit të qeverisë shqiptare për digjitalizimin”.

Bilali shtoi se ky ligj i posaçëm do të përkthejë kërkesat për të gjithë ekosistemin dhe për ata që duan të aplikojnë.

Pas mbarimit të fazës së parë do të nisë dhe hapi i dytë me shumën prej 10 milionë eurosh, për mbështetje ndaj bizneseve fillestare.

Sipas ministers, kjo është mbështetja më e madhe që ka dhënë Qeveria shqiptare ndonjëherë.

“Open Balkan”, merr efekt marrëveshja për eksportin blegtoral

Qeveria e Shqipërisë ka marrë një vendim në kuadër të nismës “Open Balkan”, ku mes tre vendeve pjesë e iniciativës momentalisht, do të njihen certifikatat veterinare dhe do të hapet eskporti për gjithë produktet blegtorale me anë të lehtësimit të kufijve.

Sipas ministres, ky vendim vjen në respektim të mbrojtjes së territorit nga sëmundjet e transmetueshme në bimë dhe kafshë. Po ashtu, me njohjen reciproke të certifikatave të veterinarisë, do të njihen edhe analizat e dala nga laboratorët e akredituar dhe të autorizuar.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca

Ndër pikat kyçe të kësaj marrëveshje, është edhe kalimi i lehtësuar në pikat kufitare të tre vendeve. Koha e tranzitit në transportimin e mallrave pritet të ulet. Po ashtu, i nënkuptuar është edhe shkëmbimi i informacioneve në kohë reale mes tre shteteve, mbi çështjet që lidhen me blegtorinë.

Në parashikimin buxhetor të Qeverisë, pritet edhe një mbështetje direkte prej 3.2 miliardë lekësh për sektorin. Ato do të shkojnë për rritjen e prodhimit vendas dhe për t’i bërë blegtorët shqiptarë më konkurrues në tregun rajonal.

Për Krifcën, kjo marrëveshje ka një rëndësi të veçantë edhe sa i përket sigurisë ushqimore në vend. Ajo ka siguruar se mbështetje, do të ketë edhe për investimet, të cilat rrisin standarded.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore