Spiropali kërkon zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe të mos cenohet identiteti shqiptar në RMV

Ndër të tjera, Spiropali, e ka quajtur një “ëndërr të shqiptarëve” projektin e Korridorit të VIII-ë, i cili do të mundësojë një lidhje më të shpejtë mes Tiranës dhe Shkupit
SHFLETO
Vitjon Nina
23.09.2024 13:22
Loading Icons...

Shqetësimet se Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut mund të shqyrtojë shfuqizim e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, kanë bërë që kryetarja e Parlamentit shqiptar, Elisa Spiropali, të kërkojë me ngurtësi zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe moscenimin e identitetit shqiptar në RVM.

Këtë ajo e theksoi gjatë një konference për shtyp me homologun nga Maqedonia e Veriut, Afrim Gashi.

“Ne presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht ligji për gjuhët. Gjuha shqipe është e shenjtë dhe ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cenimi i saj në çdo formë dhemb shumë dhe cenon identitetin tonë, që ne afrojmë në këtë botë të madhe si vlerën tonë. Njohim dhe mirëkuptojmë shqetësimet për ndryshimet e mundshme, varësisht vendimit të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese, por presim që kjo të ketë zgjidhje sipas klimës që dikton marrëveshja kuadër e Ohrit”, tha Spiropali gjatë fjalës së saj.

Ndër të tjera, Spiropali, e ka quajtur një “ëndërr të shqiptarëve” projektin e Korridorit të VIII-ë, i cili do të mundësojë një lidhje më të shpejtë mes Tiranës dhe Shkupit.

Gjatë një konference për shtyp me homologun e saj të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ajo theksoi se në Shqipëri i është kushtuar vëmendje e posaçme Maqedonisë së Veriut.

Procesi i fundit zgjedhor atje, sipas Spiropalit, ishte në standarde të larta dhe për këtë, ajo e ka përgëzuar homologun Gashi.

“Rotacioni politik nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Jemi të gatshëm të vijojmë kontaktet dhe dialogun politik. Ne flasim shqip, kemi një gjak e një gjuhë, por e dimë që rajoni ynë ndodh që të trazohet dhe marrëdhëniet janë të ndërlikuara”, përmendi Spiropali.

Ajo shtoi më tej se të dy vendet janë me sy nga e ardhmja e tyre në Bruksel.

“Kush na dëgjon, meqë po flasim për BE, tundin kokën e psherëtijnë me lodhje me shumë mosbesim. Korridori i VIII ëndërr e shqiptarëve dhe jo vetëm”.

Teksa, në mbyllje, e ritheksoi se pret me padurim që rrugën Tiranë-Shkup ta kryejë nga ky korridor i ri dhe i përfunduar kalimi.