SPAK shtyn hetimet për Arben Ahmetajn me tre muaj

Prokuroria e Posaçme shtyn me tre muaj hetimet për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj
SHFLETO
Klevis Hoxhaj
23.09.2024 11:58
Loading Icons...

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka shtyrë me tre muaj hetimet për ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, duke caktuar si afat të fundit datën 22 dhjetor.

Më pas, instanca e drejtësisë do të zbresë hetimet në Gjykatën e Posaçme (GJKKO) për kalimin ose jo të dosjes për gjykim.

Ndaj Ahmetajt, janë ngritur akuza për kryerjen e tre veprave penale: “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”.

Në muajin korrik të vitit të kaluar, SPAK lëshoi urdhër-arrest për ish-zyrtarin e lartë dhe e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar.

Më herët, ish zëvendës kryeministri u mor si i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për aferën me inceneratorin e Elbasanit.

Ahmetaj është nën hetim për procedimin penal 277/1 për veprat penale pastrim parash, korrupsion në gjashtë raste dhe fshehje pasurie.

Hetimi ndaj ish-zyrtarit nisi për çështjen e inceneratorëve e tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash, pas kontrolleve që SPAK-u zhvilloi në vilën e bashkëjetueses së tij.

Nga dosja hetimore – të parë nga Albanian Post – vërehej se Ahmetaj ka përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë rreth 500 mijë euro, duke mbuluar natyrën e vërtetë të burimit të tyre.

Përtej hetimeve të përgjithshme lidhur me inceneratorët, ku disa ish-zyrtarë të lartë, ku përfshihen ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, por edhe shtetasit Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, procedimi penal mbi Ahmetajn, po trajtohet më vete.

Ahmetaj ka deklaruar se si ish-ministër i Ekonomisë dhe si ish-ministër i Financave nuk ka pasur asnjë rol vendimmarrës për inceneratorët.

Por, në dosje thuhet se me shkresën e 27 qershorit 2016 Arben Ahmetaj atëherë ministër i Financave është shprehur se janë përmbushur në tërësi kriteret e përcaktuara nga VKM në lidhje me vijimin e procedurave të koncensionit.

Kjo, në rastin e projektit koncensionar të Fierit – miratim ky i ardhur pas pengesës që po i bëhej kësaj procedure nga ana e paraardhësit të tij, ish-ministrit, Shkëlqim Cani.

Po ashtu, Ahmetaj ka mohuar lidhjen me Zoton, për të cilin është shprehur se e njeh vetëm si biznesmen, ndërsa sa i takon vilës në Hamallaj ai ka deklaruar se ajo është pronë e familjes së bashkëjetueses.

Në vitin 2020, Zoto biznesmeni i shpallur në kërkim për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pastrimit të parave, i shkroi një hoteli ku kishte bërë pagesë me kartën e tij të kreditit vite më parë dhe kërkoi që t’i konfirmonin pagesën e bërë në favor të ish-zëvendës kryeministrit.

Në email-e zbulohet se Zoto ka prenotuar ose paguar me kartën e tij të kreditit qëndrimet e Ahmetajt.

Në dosjen hetimore, janë dokumentuar disa pagesa për hotelet ku ka qëndruar Ahmetaj.

Aty shkruhet se të gjitha këto detaje janë përfituar nga kontrolli i e-mailit të Klodian Zotos, ku janë vërtetuar rezervimet që ka bërë për në emër të Arben Ahmetajt, por të gjitha janë paguar nga Klodian Zoto.

Konkretisht, Ahmetaj, si edhe ish-gruaja dhe bashkëjetuesja e tij, Eriola Hoxha përfituan 9 udhëtime të paguara nga Zoto nga vitit 2013 deri në vitin 2017.

Kryesisht hotelet në të cilat kanë qëndruar janë në vendet e BE-së, Itali, Austri, Francë e Gjermani.

Në dosjen e SPAK renditen disa udhëtime të Ahmetaj dhe Mirel Mërtirit, të paktën që nga viti 2012 e kanë vazhduar edhe në vitin 2014 kur kanë marrë jetë procedurat e koncesionit për inceneratorët.

Dalja e tyre e parë së bashku, e cila është dokumentuar në dosjen e SPAK rezulton të jetë bërë më 23 nëntor 2012.