Lajme

Skeleti i dinozaurit gjigant “triceratops”, edhe për audiencën


Në kohën e tij, afërsisht 66 milionë vjet më parë, një dinozaur i tipit Triceratops, me kafkën e tij me jakë të madhe dhe tre brirë sulmues, ishte një nga dinozaurët më të rrezikshëm dhe më të frikshëm të asaj periudhe.

Mbetjet e një prej gjigantëve të periudhës së Kretakut, një barngrënës, pavarësisht nga pamja e tij e frikshme, së fundmi janë shfaqur në Paris, pak para daljes në ankand në muajin tetor të këtij viti.

Dinozauri i quajtur, Big John, ka një kafkë dhe një jakë kockore të gjatë 2.62 metra, dy metra të gjerë dhe peshon më shumë se 700 kg. Ai ka dy brirë të mëdhenj dhe 200 eshtra të tjerë të ndryshëm që janë bashkuar me përpikëri.

Big John kishte jetuar në Laramidia, një kontinent ishull që shtrihej mes Alaskës dhe Meksikës, ndërkaq vdiq në një rrafshinë të lashtë përmbytjesh të njohur tani si formacioni gjeologjik “Hell Creek” në Dakotën e Jugut.

Big John.

Kockat e tij u zbuluan në muajin maj të 2014-s dhe gërmimi përfundoi më shumë se një vit më vonë. Ato u mblodhën në Itali, në punëtorinë “Zoic”, të përbërë nga specialistë në restaurimin e skeleteve parahistorikë.

Një çarje në jakë tregon se dinozauri u plagos në luftime me një Triceratops tjetër, ndoshta në mbrojtje të territorit.

“Big John, mbi 60% i plotë dhe me një kafkë të plotë 75%, është një mrekulli e natyrës dhe e veprës së artit”, tha zëdhënësi i ankandit, Giquelo.

Iacopo Briano, një paleontolog që mbikëqyri rindërtimin e Big John, tha se skeleti ishte 5-10% më i madh se çdo Triceratops tjetër i gjetur deri më tani.

“Është një kryevepër. Ka mjaft kafka triceratops në të gjithë botën, por shumë pak prej tyre janë pothuajse të plota “, tha Briano, në një intervistë për radion “FranceInter”.

Alexandre Giquello, nga shitësit e ankandeve, tha se një skelet kaq i madh do të ishte me interes për një duzinë blerësish në të gjithë botën.

“Në çdo ankand, ne shohim që vijnë profile të reja. Ne kemi parë pronarë të vendeve të pazakonta që duan të investojnë për të tërhequr klientë”.

“Ka edhe njerëz që janë të apasionuar pas shkencës dhe paleontologjisë. Ata janë shpesh mjaft të rinj, që vijnë nga teknologjitë e reja”, tha Giquello.

Ekspertët thonë se mania për skeletet e dinozaurëve mbetet e lartë dhe çmimet po vazhdojnë të rriten.

Tetorin e kaluar, një skelet i rrallë Allosaurus, një nga dinozaurët më të vjetër, i konsideruar si “gjyshi” i T-rex-it, iu shit në Paris një ofertuesi anonim për pak më shumë se 3 milionë euro, që ishte dyfishi i vlerësimit.

Ndërkaq, Big John, i cili është tetë metra i gjatë, pritet të arrijë deri në 1.5 milionë euro kur shfaqet në shtëpinë e ankandit “Drouot” të Parisit më 21 tetor, si pjesë e shitjes vjetore të Naturalia-s.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore