Kosova

S’ka seancë të jashtëzakonshme – Konjufca vazhdon me seancën e planifikuar


Kuvendi i Kosovës.

Edhe pse opozita ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca që të mbahet seancë e jashtëzakonshme e cila ishte planifikuar për orën 14:00 ai ka vendosur që të shkoj me pikat e rregullta.

Një seancë e tillë ishte planifikuar që të mbahet në orën 11:00, por dështoi për shkak të mungesës së deputetëve të pushtetit.

Gjatë vazhdimit të seancës të pranishëm kanë qenë edhe deputetët e pushtetit ndërsa deputetet e opozitës kanë këmbëngulur që të vazhdojnë me seancë të jashtëzakonshme.

“Ishte kërkesë e opozitës për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme. Ju si kryetar në prani të shumicës duhet ta jepni një verdikt për mbylljen apo vazhdimin e asaj seance”.

“Nuk mund të fillojë një seancë pa u dhënë verdikti. Duhet ta respektoni rregulloren e punës së Kuvendit nenin 68.4”, ka thënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka thënë se asnjë seancë apo asnjë temë tjetër nuk është më me prioritet se siguria e Kosovës.

“Pasi kemi kuorum të kthehet seanca dhe ta votojmë rezolutën”, ka thënë Musliu.

Një kërkesë të ngjashme e ka pasur edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha.

“Nuk dëshirojmë të fitojmë vota me këtë punë. Ne po duam që policëve t’u paguhet rrezikshmëria dhe të kenë kushte më të mira”, ka thënë Berisha.

Sipas Konjufcës, seanca s’ka marrë epilog sepse s’ka filluar duke thënë se do të vazhdohet me seancën e planifikuar.

Debati parlamentar për Policinë dështoi në mungesë të pushtetit, por çfarë parasheh draft-rezoluta që opozita po e shtynë përpara?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore