Kosova

S’ka paga për mësimdhënësit


Hekuran Murati

Mësimdhënësit të cilët ishin në grevë që nga 25 gushti nuk do të marrin pagën e muajit shtator.

Një gjë të tillë e ka rikonfirmuar edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, pasi të njëjtën gjë një ditë më parë deklaroi edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Për ta arsyetuar këtë vendim, Murati po bazohet në dy nene të Ligjit për Greva.

“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, ka thënë shkurt ai.

I pari është neni 18 ku flitet për “efektet e grevës së ligjshme” dhe në pikën 1 të këtij ligji thuhet se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës”, derisa është edhe neni 7, pika 1, ku është përmirësuar neni bazik 18 i ligjit, the ku togfjalëshit “Kontrata e Punës” i shtohet fjalia “duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Megjithatë juristët e kanë interpretuar në forma të ndryshme këtë ligj. Disa thonë se ka bazë ligjore për të ndaluar pagat e të tjerë deklarojnë se këto dy nene nuk thonë që të ndalet paga dhe mos pagesa është e kundërligjshme.

Ndryshe në anën tjetër Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës nuk e ka përjashtuar mundësinë e rikthimit të grevës nëse deri të mërkurën e 5 tetori nuk ekzekutohen pagat e muajit shtator nga Qeveria e Kosovës për mësimdhënësit.

Nagavci: Grevistët nuk do paguhen

Përkundër kërcënimeve të SBAShK-ut për rikthim në grevë, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknlogjisë, Arbëri Nagavci, ka rikonfirmuar edhe një herë vendimin se paga për mësimdhënësit grevistë nuk do të ketë.

Tutje, ajo nënvizoi se deri më tani janë realizuar vetëm pagat e të gjithë atyre të cilët nuk kanë participuar në grevën e organizuar nga ana e SBAShK-ut.

Ndërkaq, Këshilli i Prindërve të Kosovës, që në kohën e grevës ka qenë kryesisht në anën e qeverisë së Kosovës që të ndërpritet greva, përkundër se kushtet e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, nuk ishin plotësuar, ka reaguar në mbrojte të arsimtarëve pasi u njoftua nga qeveria se ata nuk do të paguhen për muajin që shkoi.

“Nëse mësimdhënësve nuk iu jepen pagat e muajit shtator, ne prindërit duhet të organizohemi në çdo shkollë për të mbledhur fonde solidariteti për t’i ndihmuar financiarisht mësimdhënësit”.

Pas një muaj grevë të hënën e 3 tetorit ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet arsimore publike në Kosovë.

Sindikalistët morën vendim që grevën e nisur që nga 25 gushti të e pezullojnë deri në janarin e 2023-së.

Nga 21 mijë e 516 anëtarë të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që votuan, 55.88 për qind janë deklaruar pro propozimit të kryesisë së sindikatës që të ndërpritet greva.

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë ishin edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Këshilli grevist po kërkonte që paga e mësimdhënësve të rritet prej 100 euro, derisa ta themelojë qeveria Ligjin e Vonuar të pagave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore