Kosova

S’ka marrëveshje në takimin e Kurtit me NjSI-në, kryeministri s’tregohet i gatshëm për kompromis


Pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë më 1 tetor.

Në takimin që zgjati për më shumë se dy orë në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesve të Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI), nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Siç merr vesh Albanian Post nga burimet e saj, përkundër argumenteve që Njësia Speciale Intervenuese i ka prezantuar në këtë takim kryeministrit, ky i fundit nuk ka qenë i gatshëm që të arrihet një kompromis.

Pra, siç thonë burimet e AP-së, Kurti nuk ka pranuar që të tërhiqet nga pozicioni i tij në raport me kërkesat e pjesëtareve të NjSI-së, si ajo për ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ky takim i Kurtit me NjSI-në vjen pas protestës që këta të fundit e kishin mbajtur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës më 1 nëntor, si shenjë frustrimi për qasjen e ekzekutivit në raport me kërkesat e tyre.

Ata kishin paralajmëruan edhe një protestë gjashtë ditë më vonë, por e njëjta ishte pezulluar pasi morën premtim nga Kurti për t’i pritur në takim.

Çfarë ndodhi?

Ashtu edhe siç kishin paralajmërua me maska në fytyra e pa shoqërimin e armëve, pjesëtarët e njësisë më elitare të Policisë së Kosovë, të njohur ndryshe edhe si FIT, të cilët zmbrapsën paramilitarët me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, kishin protestuar të mërkurën e 1 tetorit para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Për rreth 10 minuta qëndrim në heshtje, ata kishin shprehur pakënaqësitë e tyre të thella në lidhje me trajtimin e deritanishëm nga Qeveria e Kosovës.

Ata përveç heshtjesh – si simbolikë për të shprehur indinjatën e tyre ndaj kushteve të punës, pagave por edhe mungesës së komunikimit korrekt nga niveli politik i Qeverisë në ditën më kritike për vendin (24 shtator) – edhe kishin folur duke parashtruar kërkesa e tyre konkrete ndaj ekzekutivit kosovar.

Njëri nga pjesëtarët e kësaj njësie ndërsa kumtonte publikut kërkesat, kërkoi ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se 10 vite që kemi marr premtime për benefite të cilat na takojnë”, thoshte ai.

Gjatë fjalës së tij, ai kishte listuar edhe disa nga kërkesat ndaj Qeverisë së Kosovës siç janë kategorizimi si njësi të veçanta, përcaktimi i rrezikshmërisë në 50 për qind prej pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.

“Kërkesat tona janë ekonomike dhe sociale, lehtë të realizueshme”.

Kërkesat e kësaj njësie, sipas pjesëtarit i cili barte maskë për të mos e identifikuar identitetin e tij për shkaqe sigurie, janë legjitime dhe të nevojë urgjente.

“Nuk do të zmbrapsemi deri në realizmin e tyre”, tha ai gjatë një konference para gazetarëve duke shtuar se nuk përfaqësohen nga askush.

I njëjti ftoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të reflektojë dhe të marrë hapa konkretë në realizmin e kërkesave të tyre.

“Kryeministër, ju i dini rreziqet që i bartim gjatë gjithë kohës për shkak të natyrës së punës të cilën ne e bëjmë, prandaj mos luani me dinjitetin tonë dhe me ndjenjat e familjeve tona”, shtoi ai.

Më 27 tetor, Qeveria e Kosovës prezantoi shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shtesat janë ndarë në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve policorë.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë.

Ndërkaq, për Njësinë për eksplozivët dhe deminim, Qeveria tha se shtesa do të jetë në vlerë prej 120 eurosh.

Këto shtesa, sipas ekzekutivit, do të aplikohen nga nëntori, pasi të hyjë në fuqi Ligji për Pagat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore