Kosova

Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë, temë diskutimi mes Gërvalles dhe Cuvelier-it


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ambasadori i parë rezident i Belgjikës, Gregoire Cuvelier.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë takimit me ambasadorin e parë rezident të Belgjikës, Gregoire Cuvelier, ka diskutuar për situatën politike dhe atë të sigurisë në Kosovë.

Përmes një komunikate dërguar mediave është thënë se të njëjtit kanë diskutuar edhe për bashkëpunimin në proceset integruese të Kosovës.

“Biseda u përqendrua rreth situatës politike në vend, angazhimeve të institucioneve në siguri, demokratizim dhe zhvillim ekonomik, duke theksuar se Kosova mbetet e vendosur në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë në vend”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, një pjesë e diskutimit ishte edhe sa i përket mërgatës së Kosovës në Belgjikë dhe mundësive për bashkëpunim në të ardhmen në kulturë, arsim dhe shkencë e po ashtu edhe për mundësitë e investimeve.

“Gërvalla ka falënderuar Ambasadorin Cuvelier për mbështetjen e shtetit belg ndaj Kosovës dhe vlerësoi se prania e misionit rezident të Belgjikës në Kosovë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme e fuqizimit të bashkëpunimit mes dy shteteve, në arritjen e interesave të përbashkëta”.

Një takim të ngjashëm Gërvalla, e kishte pasur edhe të shtunën me ambasadorin e Francës në Kosovë me të cilin diskutoi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe avancimin e statusit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

“Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe avancimi i statusit në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë, ishin temat e takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, pati me ambasadorin francez në Republikën e Kosovës, Olivier Guerot”, thuhet në komunikatë.

Gërvalla e njoftoi po ashtu ambasadorin Guerot në procesin që po kalon Kosova, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme, në anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore