Lajme

Siri: Sulm me dron në një bazë amerikane, plagosen dy sirianë


Bakr Alkasem / AFP

Tre dronë shënjestruan një bazë të koalicionit anti-xhihadist të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Sirinë juglindore të premten e 20 janarit.

Si pasojë e sulmit u plagosën dy persona, njoftoi komanda ushtarake amerikane për Lindjen e Mesme.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Sipas një deklarate të Centcom, një dron u rrëzua në bazën al-Tanf, duke plagosur dy anëtarë të një grupi rebel sirian të mbështetur nga SHBA-të në zonë.

“Asnjë anëtar i forcave amerikane nuk u lëndua”, tha deklarata, duke shtuar se “sulme të tilla ishin të papranueshme”.

Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut (OSDH), me qendër në Mbretërinë e Bashkuar dhe që ka një rrjet të gjerë burimesh në terren në Siri, sulmi mund të jetë vepër e grupeve pro-iraniane.

OSDH-ja tha se dy të plagosurit ishin pjesë e Ushtrisë së Lirë të Sirisë, një grup rebel i mbështetur nga SHBA-të që është aktiv në zonën al-Tanf.

Më 15 gusht, dronët kishin shënjestruar tashmë bazën, e krijuar në vitin 2016 pranë kufijve të Irakut dhe Jordanisë.

Përveç kësaj baze, rreth 900 ushtarë amerikanë janë të dislokuar edhe në veri të Sirisë, në zonat nën kontrollin e forcave kurde.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore