Kosova

Sindikata e Policisë dorëzon peticion në Kuvend me një listë të gjatë kërkesash


Foto: Albanian Post.

Sindikata e Policisë së Kosovës, të martën ka dorëzuar peticion në Kuvendin e Kosovës.

Peticion ky që është nënshkruar nga punonjësit e Policisë së Kosovës dhe përmes tij po kërkohet që të shqyrtohet pakënaqësitë e tyre.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Sindikata.

“Sindikata e Policisë së Kosovës, sot me datë 18.07.2023, ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës peticionin e nënshkruar nga punonjësit e Policisë së Kosovës,  lidhur me pakënaqësitë e tyre, ligjin e pagave, sigurimin shëndetësorë dhe jetësorë, ligjin e pensionimit, shtesa për punë specifike dhe rrezikshmëri si dhe kushtet e punës”, është thënë në komunikatën e Policisë.

Nga Sindikata janë njoftuar edhe punonjësit e Policisë së Kosovës duke thënë se ky është “njëri nga hapat sindikal” drejt realizimit të kërkesave ligjore.

Përveç mungesës së sigurimeve shëndetësore, për herë të parë, pas 15 vjetëve, policët do mbeten pa shtesa për punën me rrezik që kryejnë.

Asnjë pagesë ekstra nuk kanë marrë as për oraret e stërzgjatura të punës në Veri.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, kishte treguar për Albanian Post-it se kanë bërë sa e sa kërkesa te Qeveria, por asnjë nga këto kërkesa as që është shqyrtuar.

Për herë të parë pas 15 vjetëve, policët mbetën pa shtesa për rrezikshmëri

Që nga përfundimi i luftës së fundit, 19 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.

Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001.

Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore