Kosova

Sinani: Producentit të filmave shqiptarë të ndaluar nga Beogradi, i ka ardhur ftesa për t’u paraqitur në Gjykatë


Foto: Albanian Post.

Ish-kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani ka njoftuar se Gjykata e Lartë e Vranjës i ka dërguar ftesë producentit të filmave “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, Gani Veselit për t’u paraqitur të enjten në seancë gjyqësore.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ Sinani ka sqaruar se më 10 qershor këto dy filma ishin planifikuar të shfaqeshin në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, por që me një vendim arbitrar të Prokurorisë dhe policisë në Bujanoc ishte ndaluar shfaqja e tyre.

“Gjykata e Lartë e Vranjës i ka dërguar ftesë për në seancë gjyqësore të caktuar të mbahet sot, producentit të filmave “I pabesi” dhe “Heshtja vret”, Gani Veselit. Më 10 qershor këto dy filma ishin planifikuar të shfaqeshin në Shtëpinë e Kulturës në Bujanoc, por që me një vendim arbitrar të Prokurorisë dhe policisë në Bujanoc ishte ndaluar shfaqja e tyre”, ka shkruar Sinani.

Ajo vendimin e kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, e ka konsideruar si “të pabazuar”.

“Në të njëjtën ditë, edhe producenti i filmave, Gani Veseli edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Jetmir Ismaili, ishin marrë në pyetje nga policia. Vlen të ju rikujtoj, që paraprakisht, shfaqja e këtyre filmave ishte planifikuar të bëhej në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë”.

“Por, pa ndonjë arsye të bazuar, kryetari i Komunës së Preshevës kishte urdhëruar drejtorinë e Shtëpisë së Kulturës që mos të jap leje për shfaqjen e tyre”.

Sipas saj, pushteti i Beogradit dhe i Preshevës si pengesë e kanë Qeverinë aktuale të Kosovë.

“Paradoksi më i madh qëndron në atë se sikur pushtetit qendror në Beograd, e edhe pushtetit lokal në Preshevë, gjegjësisht kryetarit të Komunës së Preshevës iu përbën pengesë Qeveria e Republikës së Kosovës”.

“Rastësisht apo jo, emrat e filmave dëshmojnë se sa është “I pabesë” pushteti në Beograd dhe se sa “Heshtja vret” kryetarit të Komunës së Preshevës!”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, kishte akuzuar shtetin e Serbisë që po shfaq ‘mosdurim nacional’, dhe se veprimi i autoriteteve serbe për të ndaluar shfaqjen është i “paprecedent dhe i papranueshëm”.

Ndalimi i filmave shqiptarë në Luginë, “masë hakmarrëse për shkak të ngjarjeve në Kosovë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore