Kosova

Si u futën 11 mijë tableta ekstazi nga Kosova në Shqipëri – pse po hesht policia?


Ndonëse kanë kaluar dy ditë prej arrestimit të asamblistit të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje – Besnik Mujeci pasi u kap me mbi 11 mijë doza drogë, në vlerë prej 400 mijë eurosh, policia as prokuroria e shtetit në Kosovë nuk kanë dalë me asnjë shpjegim për opinionin për të sqaruar se a kanë informacione se si është bartur droga nga Kosova në Shqipëri.

Ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, tani deputet i Partisë Demokratike të Kosovë thotë për Albanian Post se heshtja e organeve të rendit po ndodh për mos t’i dëmtuar hetimet, meqë beson në këtë rast janë të përfshirë një grup i krimit të organizuar.

“Mund të dëmtohen hetimet, pasi vështirësohet arrestimi i gjithë grupit, meqë unë mendoj që ka një grup të krimit të organizuar i cili besoj që nuk mbaron vetëm me këta persona që janë arrestuar”, tha Qalaj.

Ish-kryepolici shprehet i bindur që policia shqiptare dhe ajo kosovare janë duke bashkëpunuar për rastin në fjalë.

“Policia jonë nuk ka reaguar për mos t’u dëmtuar hetimet pasi është një rast mjaft i ndjeshëm. Kemi shumë raste që kemi bashkëpunuar me policinë shqiptare dhe ato evropiane, por nuk kemi pas deklarime pasi kemi menduar se mund të dëmtohet hetimet”, ka shpjeguar ai.

Por, Qalaj, thotë se fatkëqësisht është vend transit dhe drogat e ndryshme dërgohen në vendet e Bashkimit Evropian.

Në anën tjetër, ish-shefi i antidrogës në Policinë e Kosovës, Naim Rudari, thotë se ka mundësi që organet e rendit fare mos të kenë qenë të informuar për këtë aksion.

“Policia e Shqipërisë sipas informatave që janë tani në publik ka qenë e përfshirë me stimulim të veprimeve hetimore, pasi policët kanë qenë të implikuar në cilësinë e blerësit”, theksoi ai për AP.

“Edhe tash ata e kanë për obligim që ta ruajnë informacionin pasi kanë qenë në kontakt me shitësin, në cilësi të blerësit janë paraqitur vet policia, prandaj konsideroj që nuk ka nevojë as për bashkëpunim as për koordinim”.

Megjithatë, Rudari thotë se bashkëpunimi mes dy shteteve nuk ka munguar asnjëherë kur ka pasur nevojë dhe se mund të ketë koordinime për veprimet e tjera.

“Ka mundësi që policët shqiptarë do duhej të vijnë edhe në Kosovë, ka mundësi që edhe policia jonë të shkojë në Shqipëri për t’i marr detajet që i duhen, eventualisht për të zgjeruar hetimin në Kosovë”, shtoi ai.

11 mijë doza ekstazi, 400 mijë euro vlerë – Si u arrestua asamblisti i Vetëvendosje në Shqipëri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore