Kosova

Shtohet numri i Njësisë Speciale afër stacionit policor në Mitrovicë të Veriut


Foto nga arkivi

Është shtuar numri i pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të Stacionit policor në Mitrovicë të Veriut.

Lajmin për Albanian Post e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Shtimi i numrit të pjesëtarëve të Njësisë Speciale ka ardhur pas protestës që është organizuar nga një numër i konsiderueshëm i serbëve lokalë, të cilët janë duke kërkuar lirimin e katër serbëve që u arrestuan të martën.

“Po është shtuar”, tha Elshani për AP, derisa bëri me dije se ndaj 4 serbëve është duke u mbajtur një seancë që do të vendos për fatin e tyre, për t’i liruar, apo për t’ia vazhduar paraburgimin.

Pamje nga vendi i ngjarjes

Elshani po ashtu bëri të ditur se aktualisht nuk ka numër të madh të protestuesve.

“Janë vetëm disa familjarë të tyre”, shtoi.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, katër serbët e arrestuar dyshohen se kanë fyer e sulmuar zyrtarët policorë që ishin në detyrë zyrtare në shëtitoren e qytetit të Mitrovicës së Veriut.

Nga ana tjetër, familjarët e të arrestuarve kanë pretenduar se ata janë keqtrajtuar gjatë arrestimit, pretendim që është mohuar nga Policia e Kosovës.

Në protestën e së mërkurës, protestuesit kanë fishëklluar me filikaqa dhe kanë mbajtur pankarta në duar me mbishkrime si “Policia e Kurtit”, “Lërini fëmijët të largohen”, “Na ktheni fëmijët”, “A është e shqetësuar BE-ja?”.

Njëri nga avokatët e të arrestuarve, Millosh Deleviç, i ka thënë mediumit serb me seli në Kosovë, “Kossev”, se deklaratat e Policisë së Kosovë dhe të akuzuarve se si ka nisur ngjarja nuk përputhet.

Në mesin e protestueseve ka qenë edhe politikani opozitar serb nga Kosova, Aleksandër Arsenijeviç si dhe disa zyrtar të Listës Serbe.

Sipas raportimeve tre prej të arrestuarve kanë qenë në gjendje të dehur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore