Përballje

Shtatë gola, Manchester City turpëron Leeds-in


Manchester City ka arritur fitoren më të thellë të sezonit në fitoren 7-0 përballë Leeds United.

Qytetarët ishin të pamëshirshëm në duelin përballë skuadrës së Bielsa-s.

Festën e golave ata e nisën qysh në minutën e tetë.

I pari në listën e golashënuesve u shtua Phil Foden, për të shënuar golin 500 nën drejtimin e Pep Guardiola-s në Premier League.

Vetëm pas pesë minutash, në skenë u ngjit Jack Grealish, i cili shënoi golin e dytë të ndeshjes.

City u kujdes që rrjeta të tundej edhe një herë në pjesën e parë.

Këtë herë, ai që topin e qoi në pamundësi që Meslier ta arrijë, ishte belgu Kevin de Bruyne.

Me tri gola u mbyll pjesa e parë, të gjitha në favorin e Manchester City-t.

Manchester City nuk u ndal as në pjesën e dytë.

Riyad Mahrez ishte ai që shënoi në minutën e 49-të, për 4-0.

Një minut pasi u anulua goli i Foden për pozitë jashtë loje, De Bruyne shënoi për 5-0, duke gjetur goljn e dytë personal.

Në fund, ishte radha për mbrojtësit që të gjenin rrugën e rrjetës.

Në minutën e 74-të këtë e bëri John Stones, kurse katër minuta më vonë Nathan Ake.

Deri në fund nuk ndryshoi asgjë me City-n që arriti fitore me rezultat 7-0.

Qytetarët mbesin në krye pas 17 javësh, me 41 pikë. Leeds mbetet në vendin e 16-të, me 16 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore