Shkarkimi i Bordit të RTK-së nga Kuvendi i Kosovës shpallet anti-kushtetues

SHFLETO

Gjykata Kushtetuese

 

Armat Matoshi
01.08.2023 17:15
Loading Icons...

Shkarkimi i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nga Kuvendi i Kosovës më 8 korrik 2021, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ka konstatuar të martën Gjykata Kushtetuese, por vendimi nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta.

Gjykata Kushtetuese, sipas një komunikate të lëshuar për media të martën, ka vendosur unanimisht që të deklarojë kërkesën nga deputetët e opozitës për Bordin e RTK-së të pranueshme dhe të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e vendimit të kontestuar.

“Me pesë vota për dhe dy vota kundër, gjykata ka vendosur të konstatojë që vendimi i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës së Kosovës”.

Kuvendi i Kosovës kishte shkarkuar më 8 korrik 2021 anëtarët e bordit të televizionit publik të Kosovës. Deputetët votuan për shkarkimin e tetë antarëve të bordit, pas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Kundër shkarkimit të bordit të RTK-së nga partia në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje), ishin shprehur partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – ndërsa vendimi ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të ndikojë në përbërjen e bordit, tashmë të zgjedhur në mënyrë anti-kushtetuese nga legjislativi, porse bordi i shkarkuar dy vjet më parë ka të drejtë të ndjekë procedurat përkatëse në gjykatat e rregullta.