Shembja e banesave te 5 Maji, reagon Avokati i Popullit

SHFLETO
Greta Gjinaj
19.01.2022 16:38
Loading Icons...

Institucioni i Avokatit të Popullit, pasditen e 19 janarit ka reaguar në lidhje me ankesën e disa banorëve për shembjen e banesave në zonë e 5 Majit, Tiranë.

Nga Avokati i Popullit është bërë me dije se e ka ndjekur me vijimësi dhe me shqetësim problematikën e shembjes së banesave të ndodhura në Njësinë Administrative nr. 8 dhe nr. 4.

Në njoftimin e tij theksohet fakti se në ankesën e disa banorëve thuhej se ata janë njoftuar vetëm për lirimin e objekteve në datën e përcaktuar, por nuk kanë pasur asnjë informacion të mëtejshëm lidhur me strehimin e tyre.

Në vijim të shqetësimit të banorëve Avokati i Popullit ka kërkuar nga Bashkia e Tiranës transparencë dhe detaje mbi arsyet se, “përse nga ana e kësaj Bashkie është arritur në konkluzionin se shpronësimi i banorëve të këtyre ndërtesave/objekteve të ndodhura është mjeti i vetëm për realizimin e qëllimit publik përkatës në këtë rast për zhvillim të zonës”.

Sa i përket kësaj kërkesë të Avokatit, Bashkia e Tiranës dhe strukturat përkatëse, “nuk i janë përgjigjur në kohë dhe më tej informacioni i paraqitur është i përgjithshëm, i pa argumentuar dhe dokumentuar me aktet përkatëse”.

“Teksa Avokati i Popullit e vlerëson si pozitiv qëndrimin e shprehur në VKM e sipërcituar për mundësinë e pajisjes me apartament/banesë të të gjithë banorëve të prekur nga ky projekt, ai tërheq vëmendjen së pari për transparencën e cunguar që ka shoqëruar përpilimin dhe ekzekutimin e këtij vendimi, gjë që ka shkaktuar edhe një gjendje të dukshme pasigurie, paqartësie dhe shqetësimi për qytetarët”, theksohej në njoftim.

Në përfundim Institucioni i Avokatit të Popullit, shprehu gatishmërinë për ti shkuar kësaj çështje deri në fund.

“Në vijim të ndjekjes së hetimit përfaqësuesit e Institucionit të Avokatit të Popullit kanë qenë prezent sërish edhe ditën e sotme në terren përgjatë ndërhyrjeve të IMT-së në prishjen e banesave në këtë zonë dhe do të vijojnë me ndjekjen e këtij problem deri në qartësimin e të gjitha çështjeve të tij në respekt të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë”, përmbyllet njoftimi.

Më herët Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, kërkoi nga Avokati i Popullit të njihet me të gjitha shkeljet.

Zona e “5 Majit” në Tiranë, të mërkurën e 19 janarit u rrethua nga Policia e Shtetit dhe IMT-ja ku nisi shembjen e banesave. Kjo në kuadër të procesit tërindërtimit.

7 muaj më parë ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se në zonën e 5 Majit, do të ndërtohet brenda një viti, një nga qendrat më moderne në Shqipëri.

Do të jenë 3 mijë e 500 apartamente, të cilat do të shërbejnë për strehimin e 11 mijë banorëve.