Shefat e misioneve diplomatike në Kosovë mblidhen në shtabin e KFOR-it në Prishtinë

Aleatët e NATO-s janë mbledhur të hënën në kampin “Film City” në Prishtinë për adresuar situatën e sigurisë në Kosovë.
SHFLETO

Foto: KFOR

Armat Matoshi
23.09.2024 17:05
Loading Icons...

Komandanti i Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), Özkan Ulutaş, ka pritur të hënën në shtabin e KFOR-it në kampin “Film City” në Prishtinë ambasadorët dhe shefat e misioneve të 28 vendeve aleate dhe partnere që kontribuojnë në misionin paqeruajtës, ku një vëmendje e veçantë i është kushtuar situatës së sigurisë në Kosovë.

“Diskutimi u fokusua në një sërë temash, duke përfshirë situatën e sigurisë, aktivitetet aktuale dhe bashkëpunimin e KFOR-it me komunitetin e gjerë ndërkombëtar”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i të hënën, duke dhënë gjithashtu garaci se misioni do të vazhdojë angazhimin drejt sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

“Ky takim është një tjetër demonstrim i prekshëm i përkushtimit tonë kolektiv dhe të palëkundur drejt sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal”, ka deklaruar nga ana tjetër komandanti turk i KFOR-it.

NATO ka dislokuar rreth 1 mijë ushtarë shtesë në Kosovë – prezenca më e madhe e aleancës në 10 vitet e fundit – kryesisht për shkak të paralajmërimeve për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve midis Kosovës e Serbisë dhe cenimit të paqes në rajon.

Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit kanë mbyllur disa institucione paralele të Serbisë, krahas largimit të dinarit. Por, lëvizjet janë kundërshtuar nga serbët lokalë dhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar, të cilët pothuajse vazhdimisht e kanë qortuar Qeverinë e Kosovës për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën.

Ndryshe, përkundër se situata në veri të Kosovës i banuar me serbë etnikë është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, ende perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun midis Kosovës e Serbisë.