Aplikacione

SHBA, platformat e takimeve me status vaksinimi


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe aplikacionet e takimeve do të kenë informacion nëse personi që keni në interesin tuaj është i vaksinuar kundër COVID-19 apo jo.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se Shtëpia e Bardhë ka realizuar partneritete me platformat e njohura të takimeve në internet si Match-i, Tinder-i dhe Bumble-i për të inkurajuar më shumë amerikanë që të vaksinohen kundër COVID-it.

Teksa vendi ka lehtësuar kufizimet dhe rastet e coronavirus-it, shtrimet në spital dhe vdekjet kanë rënë, njerëzit i janë kthyer normalitetit duke përfshirë edhe takimet në jetën e tyre.

Kjo ka bërë që Shtëpia e Bardhë përmes partneritetit me platformat e takimeve të synojë tërheqjen e të rinjve drejt vaksinimit duke mposhtur hezitimin e tyre për ta kryer këtë.

“Distancimi social dhe takimi, përherë ishin një kombinim paksa sfidues”, ka thënë këshilltari i coronavirus-it në Shtëpinë e Bardhë për gazetarët.

Në fjalën e tij, këshilltari ka përmendur OkCupid-in, një prej faqeve të takimeve, e cila ka raportuar se njerëzit që shfaqin statusin e tyre të vaksinimit kishin 14 për qind më shumë gjasa për të pasur një përputhje.

“Më në fund kemi gjetur një gjë që na bën të gjithëve më tërheqës, një vaksinim”, ka thënë Slavitt.

Këto platforma të takimeve shërbejnë për më shumë se 50 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe tanimë, do të ofrojnë informacion mbi statusin e vaksinimit të personit.

Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se në bazë të këtij statusi, personat do të kenë qasje pa pagesë në “përmbajtje Premium si shtesa dhe super pëlqime” për të vaksinuarit. Gjithashtu edhe filtra për lidhjet e mundshme.

Një nga kompanitë, Match Group Inc, ka konfirmuar pjesëmarrjen e markave të saj kryesore në SHBA duke përfshirë Tinder-in, Match-in, OkCupid-in, Hinge-in, Plenty of Fish-in, BLK-në dhe Chispa-n.

Fushata e veçantë promovuese do të nisë gjatë javës së ardhshme dhe do të zgjasë deri më datë katër të muajit korrik.

Shefi ekzekutiv i grupit, Shar Dubey, ka thënë se “ne jemi të nderuar të punojmë me Shtëpinë e Bardhë në rritjen e vaksinimeve në të gjithë Amerikën, e cila do t’i lejojë njerëzit të takohen edhe një herë personalisht dhe të angazhohen në mënyra domethënëse. Kjo do t’i bëjë takimet më të sigurta për të gjithë, kudo”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore