SHBA dhe BE kërkojnë më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri

SHFLETO
Rajmonda Basha
20.06.2024 17:01
Loading Icons...

“Luftimi i krimit të organizuar, menaxhimi efektiv i kufijve dhe adresimi i migracionit të paligjshëm kërkon një përgjigje të koordinuar nga shumë aktorë”.

Kështu shkruhet në një postim të delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, pas një takimi të zhvilluar gjatë kësaj të enjte të 20 qershorit.

Sot, donatorët ndërkombëtarë dhe autoritetet shqiptare u takuan për të diskutuar mënyrat për të rritur mbështetjen për agjencitë shqiptare të zbatimit të ligjit në trajtimin e këtyre çështjeve.

Diplomatë nga shtete dhe organizata donatore, me në krye SHBA-të dhe BE-në, diskutuan sot me përfaqësues të qeverisë shqiptare për të bashkërenduar ndihmën dhe mbështetjen për Shqipërinë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, një fushë ku, siç u theksua në tryezën e rrumbullakët, priten rezultate më të larta.

Zëvendësshefja e Misionit në detyrë e Ambasadës së SHBA-ve, Kathryn Hammand, theksoi në fjalën e saj se sundimi i ligjit nis së pari nga llogaridhënia, dhe se duhet bërë shumë më tepër për këtë detyrë të rëndësishme, në të cilën Shqipëria ka mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së.

Ajo tha se SHBA-të po investojnë në forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, por shtoi se kjo është një detyrë që nuk mund të bëhet vetëm dhe kërkon veprime dhe përpjekje nga të gjithë institucionet dhe aktorët.

“Zyrtarë të korruptuar janë duke dhënë llogari para drejtësisë, anëtarë të krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbin pasuritë. Ky është një proces shumë i fuqishëm, që po ecën përpara, tha ajo.

“SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin fort Shqipërinë dhe përpjekjet e saj, të cilat janë thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, çka populli shqiptar dëshiron. Thelbësore është trajtimi i drejtë para ligjit. Liri dhe drejtësi për të gjithë”.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë Silvio Gonzato ka deklaruar se Shqipëria është më pranë Bashkimit Evropian (BE).

Sipas tij, me rëndësi mbetet zbatimi i ligjeve, ndërsa theksoi se BE “e mbështesim Shqipërinë jo vetëm me fonde por edhe me ekspertizë”.

“Përmirësimi i koordinimit të donatorëve në këtë rrugëtim kërkon edhe hapa të reja në këtë drejtim. Ky është një hap i mirë. BE do t’ju mbështesë në këtë hap, Shqipëria është më pranë BE dhe kjo është arsye pse ne jemi këtu sot”.

Për diplomatin evropian, ambasada sikundër partnerët e BE dhe përtej BE bashkojnë përpjekjet në lidhje me reformat për zbatimin e shtetit të së drejtës.

Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon koordinimin e shumë faktorëve, thotë ambasadori i BE-së

“Një vend më i sigurt thith investitorë dhe ushqen zhvillimin ekonomik. Do të flasim edhe për sfidat me të cilat përballet Shqipëria në lidhje me infiltrimin e grupeve kriminale”.

Më tej në fjalën e tij, Gonzato u shpreh se vlerësimi i rrezikut për financimin e terrorizimit dhe pastrimin e parave në 2023 Shqipërinë e identifikon si zonë me rrezik të lartë.

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon koordinimin e shumë faktorëve nga shoqëria civile dhe aktorë privat”.

Sa i takon projektligjit për ngritjen e zyrës për rikuperimin e aseteve të krimit, Gonzato tha se ai po diskutohet me shërbimet përkatëse.

“Kyç mbetet zbatimi i ligjeve dhe ne e mbështesim Shqipërinë jo vetëm me fonde por edhe me ekspertizë. Unë kërkoj një koordinim të asistencës se donatorëve”.

Në përfundim ai u shpreh se përmirësimi i koordinimit të donatorëve në këtë rrugëtim kërkon edhe hapa të reja në këtë drejtim.

“Ky është një hap i mirë. BE do t’ju mbështesë në këtë hap, Shqipëria është më pranë BE dhe kjo është arsye pse ne jemi këtu sot”.

Ndërsa, ministri i BrendshëmTaulant Balla, u shpreh se duhet rritur shpejtësia e reagimit ndaj krimit të organizuar.

Balla nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, duke veçuar Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, në luftën kundër krimit.

Prandaj, ai theksoi edhe njëherë se kanë gati projektligjin që parashikon ngritjen e zyrës së Rikuperimit të Aseteve Kriminale, e vetmja mënyrë “për ta goditur krimin aty ku i dhemb më shumë”

Për Ballën, sfidat që dalin sot para autoriteteve kërkojnë bashkëpunim dhe angazhim të organizuar.

Balla: Zyra për Rikuperimin e Aseteve Kriminale, krimi goditet aty ku i dhemb më shumë