Shqipëria

Balla: Zyra për Rikuperimin e Aseteve Kriminale, krimi goditet aty ku i dhemb më shumë


Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, në një takim koordinues me donatorët, u shpreh se duhet rritur shpejtësia e reagimit ndaj krimit të organizuar.

Balla nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë, duke veçuar Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, në luftën kundër krimit.

Prandaj, ai theksoi edhe njëherë se kanë gati projektligjin që parashikon ngritjen e zyrës së Rikuperimit të Aseteve Kriminale, e vetmja mënyrë “për ta goditur krimin aty ku i dhemb më shumë”

Për Ballën, sfidat që dalin sot para autoriteteve kërkojnë bashkëpunim dhe angazhim të organizuar.

“Jemi të vetëdijshëm se nuk mund ta arrijmë objektivin pa angazhimin e partnerëve me të cilët duam të përshpejtojmë realizimin e reformave. Vlerësojmë mbështetjen që na kanë ofruar duke mundësuar arritje e rezultateve. Bashkëpunim shumëplanësh me BE, agjencitë ligjzbatuese të SHBA-ve dhe Britanisë për të luftuar krimin e organizuar pa harruar edhe ekstremizmin e dhunshëm, menaxhimin e kufijve dhe rendin publik”.

Sipas Ballës, kërcënimet e reja në këto fusha kërkojnë struktura më të mira organizative.

“Kërkohet rritje bashkëpunimi edhe me gjyqësorin, pa harruar investimet në inteligjencë dhe zhvillimet në teknologji”.

Ai tha se pas takimit me ministrin e brendshëm të Gjermanisë dhe ministrin për policinë të Zvicrës me të ndanë mendimin se krimi i organizuar nuk ka nevojë për burokraci e dokumente, lëviz shumë më shpejt, dhe “nëse duam të jemi efektivë duhet të rrisim shpejtësinë e kundërveprimit tonë për ta shfarosur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore