Shahu për vulën e PD-së, kujt ia jep Gjykata partinë?
Rajmonda Basha
11.01.2023 8:1017 janari është data e radhës për demokratët.
Kjo për sa i përket procesit gjyqësor për të përcaktuar se kujt i takon vula në Partinë Demokratike.
Protagonistët janë dy: kreu i PD-së Sali Berisha me “ushtarët e tij” dhe Enkelejd Alibeaj, siç e njeh veten si kreu i Grupit Parlamentar.
Shtyrjet kanë qenë të herëpashershme me kërkesa të ndryshme nga palët, shpesh duke kërkuar më shumë kohë.
Se kujt do i japë të drejtë Gjykata pritet në vijim. Ndërsa, qëllimi është “publik”. Ai lidhet me bashkimin e dy statuteve të PD.
Ishte përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso – që e konsideroi nul vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për të njohur si ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj – ndaj vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.
Më 25 mars, Alibeaj, fill pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga lideri Sali Berisha – deklaroi se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.
Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.
Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.
Sipas tij, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata.
Sakaq, ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.
Herë pas here janë bërë përpjekje për bashkim. Por, PD ka ngelur e ndarë. Me caktimin e 14 majit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, dy grupimet brenda PD-së bënë përpjekje për bashkim, duke përcaktuar edhe “nikoqirët e bisedimeve”.
Gazment Bardhi dhe Edi Paloka – pavarësisht përpjekjeve – nuk e gjetën konsensusin për të dalë me një kandidat të vetëm.
Kështu, pas kushteve të vendosura nga secili, konsensusi nuk u realizua.
Pas kësaj Alibeaj mblodhi kryesinë në cilësinë e kryetarit, ndërsa Berisha shpalli datën e primareve, ku sipas parimit një anëtar, një votë u zgjodhën edhe kandidatët për 61 bashkitë.
Në zgjedhje pati edhe balotazh, ku vlen të theksohet Bashkia Tiranë. Belind Këlliçi dhe Ilir Alimehmeti, përmes kompromisit vendosën që stafeta për të garuar përballë kryebashkiakut aktual socialist, t’i mbetet Këlliçit.
Programet e ndryshme në një parti të vetme, u reflektuan edhe në drekën e mbylljes së vitit 2022. Alibeaj dhe disa deputetë të grupimit të tij, refuzuan sërish. Nuk iu bashkuan tavolinës së përbashkët.