Kosova

Serwer: Lajçak ka dështuar, Serbia ta dorëzojë Radojiçiçin


Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Daniel Serwer, ka thënë se Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, “ka dështuar”, meqë sipas tij, Serbia nuk po e zbaton Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe Aneksin e Ohrit.

“Miroslav Lajçajk e njeh Ballkanin si çdo diplomat që ka shërbyer këtu, më mirë se 99 për qind do të thosha. Por, ai nuk ka pasur sukses. Janë këto dy marrëveshje, janë marrëveshje që Serbia i ka mohuar dhe kjo është një dështim”, tha Serwer në një intervistë për Kosovapress.

Për Serwer-in, në kuadër të ri-formatimit të dialogut duhet të shkohet më shumë drejt përafrimeve në çështje praktike në teren sesa drejt normalizimit politik.

“BE-ja nuk po mund të bëjë asgjë për ta detyruar Serbinë ta pranojë marrëveshjen. Mendoj se është fare e qartë se kemi nevojë për rivendosje në dialog”, shtoi.

Ndërkaq duke folur për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit, Server potencoi se përgjegjësi i këtij sulmi, krimineli Milan Radoiçiç, duhet t’u dorëzohet organeve të drejtësisë në Kosovë.

“Është e pafalshme, veçanërisht Radojiçiç duhet të dorëzohet në Kosovë për gjykim”, theksoi profesori amerikan.

Ndryshe, përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjë ku mbeti i vrarë rreshteri i Kosovës, Afrim Bunjaku, e ka marrë Radojiçiç, njeri i besuar i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Radoijçiç, së bashku me një grup të terroristëve, kishin arritur që të iknin nga Kosova për në Serbi, ku edhe janë duke qëndruar aktualisht.

Vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin, derisa kanë kërkuar që organizatorët të mbahen përgjegjës.

Radojiçiç, për këtë rast, ishte arrestuar nga autoritetet serbe, për t’u liruar vetëm një ditë më pas.

Nga ana tjetër, Kosova vazhdimisht është duke kërkuar ekstradimin e tij dhe të tjerëve, mirëpo Serbia ka refuzuar që ta bëj një gjë të tillë.

Në fakt, shteti serb nuk është distancuar fare nga sulmi i 24 shtatorit, përkundrazi kanë shpallur ditë zie kombëtare për terroristët e vrarë në Banjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore